Gjuriq: Kosova po i bën presion serbëve për të mos i mbështetur politikat e Serbisë

Gjuriq: Kosova po i bën presion serbëve për të mos i mbështetur politikat e Serbisë

Drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq sot është takuar me ambasadorin finlandez në Beograd, Kimo Lahdevirta me të cilin ka biseduar për situatën në Kosovë.

Gjuriq ka thënë se theks të veçantë në bashkëbisedim kanë qenë “vështirësitë me të cilat po përballet populli serb në Kosovë”.

Sipas tij, në prag të zgjedhjeve të 6 tetorit, serbët po ekspozohen ndaj presioneve të ndryshme të Prishtinës në mënyrë që të sfidohet me çdo kusht mbështetja e plotë që serbët i japin Listës Serbe dhe politikës së Beogradit.

“Shteti i Serbisë do të bëj gjithçka për të siguruar respektimin e vullnetit zgjedhor të popullit serb në Kosovë”, ka thënë Gjuriq, transmeton lajmi.net.

Tutje, ai ka theksuar se pas zgjedhjeve dhe formimit të një qeverie të re të Kosovës, vendet e Bashkimit Evropian të cilat e kanë ndërmjetësuar dialogun Beograd-Prishtinë, duhet të bëjnë përpjekje diplomatike në mënyrë që të vazhdohet dialogu dhe të zbatohen marrëveshjet e arritura deri më tani.