Belegu-Hotit: Sigurisht që kufijtë janë të paprekshëm, pasi i mbron burrështetasi Ramush Haradinaj

Belegu-Hotit: Sigurisht që kufijtë janë të paprekshëm, pasi i mbron burrështetasi Ramush Haradinaj

Nënkryetari i AAK-së dhe kandidati për deputet me numër 38 në radhët e koalicionit AAK-PSD, Erolld Belegu, me anë të një postimi në Facebook i ka reaguar Avdullah Hotit.

Hoti kishte thënë se zgjedhjet s’janë për kufijtë, por për “ndaljen e keqpërdorimit të buxhetit”.

Sipas Belegut, Hoti dhe LDK kanë më së paku të drejtë të flasin për këtë temë, pasi që e bënë president Thaçin dhe e votuan asociacionin antikushtetues.

“Sigurisht që kufijtë janë të paprekshëm, pasi ato i mbron burrështetasi Ramush Haradinaj! E për këtë temë, më së paku ka të drejtë të flasë Avdulllah Hoti dhe partia që ai e përfaqëson, e cila nuk mbahet mend për asnjë “sukses” tjetër pos që e ka bërë president Hashim Thaçin, që sot po i prin pazareve për territorin e Kosovës. Një “sukses” tjetër ishte edhe nënshkrimi i asociacionit, që përveç që e minon shtetësinë e Kosovës, në fund doli të jetë edhe antikushtetues! Sa i përket buxhetit, Kosova kurrë nuk ka pasur buxhet më të madh. Në Kosovë, pas vendimit të taksës 100%, përveç mbrojtjes së sovranitetit, janë mbrojtur edhe prodhuesit vendorë e janë hapur vende pune në fabrikat tona prodhuese. Andaj po, patjetër, këto zgjedhje janë referendum. Referendum për Kosovën shtet në kufijtë ekzistues, për Kosovën që e mban taksën deri në njohje e për Kosovën që mbron e ndihmon prodhuesin vendor dhe rrit zhvillimin ekonomik”, ka shkruar Belegu.