Daçiq: Nëse votohet, pritet dështimi i Kosovës

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq është i sigurt se Kosova përsëri nuk do të pranohet në Interpol.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka deklaruar se është i sigurt se Kosova do të dështojë, nëse vjen deri tek votimi në asamblenë e përgjithshme të Interpol-it në Kili.

“Të gjithë e dinë, madje edhe ata”, deklaroi Daçiq për të përditshmen serbe “Politika”.

Ministri i Brendshëm serb, Nebojsa Stefanoviq dhe Daçiq kanë qenë pjesëmarrës në një takim me diplomatë ku morën pjesë edhe përfaqësuesit e Bosnjës e Hercegovinës, Algjerisë, Angolës, Koresë dhe Federatës ruse.

Asambleja e përgjithshme e Interpol-it do të fillojë të martën në ora 11, kurse në ditën e tretë të saj, të enjten më 17 tetor, në rend të ditës do të jetë kërkesa e Kosovës për anëtarësim në organizatë.

Kjo do të jetë hera e katërt që Interpol-i vendos për kërkesën e anëtarësimit nga Kosova.

Për pranim në organizatë është e nevojshme mbështetja e dy të tretës së shteteve anëtare.