MPJ në ‘gjumë’, Serbia vazhdon lobimin e ashpër kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL

MPJ në ‘gjumë’, Serbia vazhdon lobimin e ashpër kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL

Sot në Kili fillojnë punimet e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, ku Kosova edhe një herë ia ka mësyrë anëtarësimit në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë.

Përderisa i tërë shteti serb është angazhuar që të “luftojë” fuqishëm kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, autoritetet kosovare, përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme, nuk ka dhënë asnjë deklaratë.

Tash e ca ditë, zyrtarët e kësaj ministrie nuk kanë dhënë asnjë përgjigje për lajmi.net, pavarësisht insistimit për të kuptuar se çfarë do të ndodhë me Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme.

Madje nuk dihet nëse ndonjë delegacion i Kosovës do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme në Kili.

Në anën tjetër, kryesuesi i delegacionit të Serbisë në INTERPOL, Nebojsha Stefanoviq, ka deklaruar se do të bëjnë çmos që ta parandalojnë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë.

Njëjtë sikurse Stefanoviqi ka vepruar edhe kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.

Ai ka deklaruar se diplomatë serbë janë udhëzuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të vazhdojnë angazhimin e tyre për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare të policisë dhe në këtë mënyrë sipas tij, Kosova nuk ka asnjë shans që të bëhet anëtare e INTERPOL-it.

Duhet theksuar se tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010.

Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare.

Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme.

Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.