Sot Prishtina e lëshon vendin e parë, bie nivel i ndotjes së ajrit

Mëngjesin e hershëm të së martës, Prishtina në matjet e ndotjes së ajrit të orës nëntë në mëngjes, printe në këtë nivel si qyteti më i ndotur në botë.

Mirëpo, sipas matjeve të fundit të orës 10, është vërejtur një përmirsim i dukshëm i cilësisë së ajrit, ku Prishtina ka rënë nga vendi i parë si qyteti më i ndotur në botë, në vendin e nëntë në këto matje.

Gjatë mëngjesit  të hershëm, Prishtina kishte masë ndotjeje prej 231 PM, ndërkaq me të kaluar orën 10, ka rënë në 173 PM.

Ndërkaq, edhe kryeqyteti i Maqedonisë, Shkupi, po del të jetë një nga vendet me ndotjen më të madhe të ajrit, me një masë ndotjeje prej 163 PM.

Zakonisht, kjo matje e ndotjes bëhet çdo një orë, dhe Prishtina gjatë orës tetë të mbremjës shënon rritje të masës së ndotjes e cila konsiderohet si helmuese dhe tepër e rrezikshme me mbi 400 PM masë ndotjeje.

Ndryshe, nga nesër në Prishtinë janë paralajmëruar masa ndaj përmirsimit të cilësisë së ajrit, duke përfshirë ndalimin e disa automjeteve për hyrje në Prishtinë, si dhe ndalimin e shitjes së thëngjillit dhe furnizimit me këtë lëndë djegëse.