Dr.Skender Destani bartës i listës së subjektit politik "Bashkimi Demokratik i Luginës" në emisionin e mbrëmshëm në "Zëri Politik" në Rtv Aldi, në vlerësimin dhe analizën që i bëri procesit zgjedhor të zgjedhjeve të parakohshme lokale në komunë të Preshevës që nga fushata e deri në përfundimin e rivotimit në njësinë numër 5 e përkufizoi si një fushatë jo të barabartë për të gjitha subjektet politike si nga aspekti financiar dhe ai politik duke pasur parasysh se "organi i dhunshëm" ka menaxhuar mjetet financiare të komunës së Preshevës rreth 2.5 milion euro të cilat mjete i ka harxhuar në procesin zgjedhor gjë që është antiligjore.
Për të argumentuar 112 votat e marrura në 4 njësi në B.L Rahovicë z.Destani u shpreh se ato vota janë nga familjarët tanë të cilët nuk kanë pranuar të shiten duke u krahasuar me qytetarët e tjerë, por vetëm i ka interesuar se kush është kandidat dhe kush i mbron më së miri interesat e tyre.
Për koalicionin e mundshëm parimor LR-PDSH dhe APN, z.Destani e përkufizoi si një "amoralitet" në mes këtyre dy partive i cili nuk mund dhe nuk duhet të realizohet.
"Unë jam aq i dëshpëruar me elektoratin në këto zgjedhje për mënyrën se si ka votuar, se si e ka shitur votën, jam aq i dëshpëruar sa që nuk kam më obligim ndaj tyre!... Si e kemi elektoratin ashtu do e kemi edhe pushtetin" tha z.Destani në emisionin "Zëri Politik" në Rtv Aldi.