Ky vendim vjen disa ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar për tërheqje të trupave amerikane nga zona e kufirit Siri-Turqi, duke lejuar forcat turke të krijojnë të ashtuquajturën “zonë të sigurt”, që nënkupton edhe largimin e luftëtarëve kurdë nga ky territor.
Forcat turke dhe ato ruse tani janë duke patrulluar zonën afër kufirit që më parë ishte kontrolluar nga forcat amerikane dhe milicia kurde.
Një korrepodent i agjencisë së lajmeve, AFP ka thënë të ketë parë një patrullë ruse bashkë me disa flamuj të këtij shteti duke u larguar nga pjesa e Qamishlit.
Vendimi i Trumpit për tërheqje të trupave është kritikuar nga demokratët dhe republikanët, të cilët kanë thënë se janë të shqetësuar që rreth 1,000 militantë të burgosur të IS-it, që mbahen nga Forcat Demokratike Siriane, (FDS) të drejtuara nga kurdët, mund të ikin gjatë trazirave.
“Një nga fitoret më të mëdha të SHBA-së dhe partnerëve tanë në luftën kundër ISIS-it ka qenë kontrollimi i zonave të naftës në Sirinë Lindore”, ka thënë një zyrtar amerikan i mbrojtjes, duke iu referuar Shtetit Islamik.
“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të fuqizuar pozicionet në koordinim me partnerët tanë të FDS-së, në verilindje të Sirisë, ashtu që të parandalohet rënia e zonave të naftës në duart e IS-it apo aktorëve tjerë destabilizues”, është thënë në deklaratë.
Deklaratat e fundit të Pentagonit nuk kanë specifikuar numrin e trupave apo vendin e saktë të operacionit të tyre, mirëpo duket se kanë qenë referencë për zonat e naftës në provincën, Deir el-Zour në Siri.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper ka thënë se qëllimi kryesor i prezencës amerikane është që IS-it t’i pamundësohet rikthimi i fuqisë përmes zonave të naftës.
Kurdët kanë fituar kontrollin e territoreve me naftë në provincën, Deir el-Zour pasi kanë mposhtur militantët e grupit militant, Shteti Islamik më 2018.