Edhe një takim i rëndësishëm i përfaqësuesve nga Lugina në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë

Delegacioni nga Lugina e Preshevës gjatë pasdites kanë zhvilluar takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Detajet e takimit i ka bërë publike kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi, nëpërmjet një postimi në facebook, ku ka shkruar:

“Për pozitën, sfidat dhe nevojat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe për rëndësinë e përmirësimit të të drejtave elementare, diskutuam edhe në Ministrinë e punëve të jashtme të Gjermanisë.

Integrimi dhe përpjekjet e Serbisë për t’u inkuadruar në Unionin evropian do duhej të kalojnë nëpërmes realizimit të plotë të të drejtave të pakicave kombëtare.

Pozita e shqiptarëve duhet të përmirësohet – të drejtat e shqiptarëve duhet të realizohen në tërësi.

Para autoriteteve të larta të Ministrisë së jashtme të Gjermanisë u paraqitën, të dokumentuara, kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës edhe domosdoshmërinë e përfshirjes së Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë – Serbi” – ka shkruar Kamberi në facebook.

Kujtojmë se, delegacioni nga Lugina e Preshevës po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Gjermani.