Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për ‘Kosovë e Metohi’ të Qeverisë së Serbisë, Marko Djuric, përsëriti se kandidati për kryeministër dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk ka ndaluar ‘shkeljet dhe poshtërimin’ e popullit serb në Kosovë dhe vullnetin e tyre zgjedhor në Kosovë.
Derisa ankohej se Kurti po përul përfaqësuesit dhe vullnetin e serbëve në Kosovë, Dujiric shpërfilli edhe vet disa prej përfaqësuesve të serbëve të Kosovës.
“Ndoshta Kurti tek Rada Trajkovic dhe Nenad Rasic do të gjejë partnerë për realizimin e synimit të tij shqiptaromadh, por këta nuk janë përfaqësues politik serbë”, tha Djuric, njoftohet në komunikatën e zyrës që udhëheq ai.
Djuric shtoi se Lista Serbe në zgjedhjet e fundit në Kosovë fitoi, sipas tij, “të drejtën ekskluzive të artikulojë interesin kombëtar dhe shtetëror serb në Kosovë”.
Ai në fund shtoi se “Askush, e as Albin Kurti, këtë të drejtë nuk mund të ja merr”.
Djuric ishte më i ashpër dhe ofendues ndaj Albin Kurtit këtë javë kur kishte rekomanduar se ai duhej të “të drejtohej për kontroll mjekësor urgjentisht pasi paaftësia e tij e tij për t’u përballur me realitetin po merr përmasa të rrezikshme”.
Përfaqësuesit e Listës Serbe ishin deklaruar edhe dje rreth çështjes së pjesëmarrjes në qeveri e re të Kosovës ku kishin deklaruar se nuk janë ‘për ngut’ të jenë pjesë.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ka përsëritur shpesh se nuk e sheh të domosdoshme që në qeverinë e ardhshme të Kosovës të jenë përfaqësuesit e Listës Serbe.