Glauk Konjufca mori më shumë vota vetë se ky koalicion i partive

Glauk Konjufca mori më shumë vota vetë se ky koalicion i partive

Nisma Socialdemokrate, e udhëhequr nga Fatmir Limaj, e cila për të hyrë në zgjedhje u bashkua me partinë e Behgjet Pacollit e PD-në, po vazhdon të qëndrojë nën pragun zgjedhor. Në anën tjetër, vetëm Glauk Konjufca i Vetëvendosjes ka marrë gati dy herë më shumë vota se ky koalicion.

Nisma Socialdemokrate së bashku me AKR-në e PD-në po vazhdojnë të insistojnë se kanë kaluar pragun zgjedhor e kanë siguruar pesë ulëse në Kuvend të Kosovës. Mirëpo, nuk po i numërojnë votat e Serbisë që u bënë shkak që këta të fundit të qëndrojnë nën prag.

Me 135 vota minus. të cilat ia pamundësuan ulëset në Kuvend, Nisma SocialDemokrate së bashku me AKR-në e PD-në kanë marrë 42 mijë vota në zgjedhjet e gjashtë tetorit.

“Edhe pas numërimit të 2039 votave të fundit të diasporës të ardhura me vonesë (17 tetor 2019), Nisma Socialdemokrate dhe koalicioni ynë ka marrë mbi 42 mijë vota apo 5.02% të votave, të cilat e bëjnë koalicionin tonë përfundimisht pjesë të Kuvendit të Republikës së Kosovës!”, ka shkruar partia e Limajt dje në Facebook.

Mirëpo, pavarësisht këtyre pretendimeve numri i votave që ky koalicion ka marrë është dukshëm i vogël nëse krahasohet me individë të partisë që doli e para nga zgjedhjet.

Vetëm Glauk Konjufca, që është njeriu i dytë më i votuar në Vetëvendosje, ka marrë gati dyfish vota më shumë se ky koalicion.

Konjufca është raportuar se ka marrë më shumë se 72 mijë vota.

Më shumë se koalicioni NISMA-AKR-PD vota ka marrë edhe Albulena Haxhiu e VV-së.

Kjo parti ka siguruar 32 ulëse në Kuvendin e Kosovës, u bë e ditur mbrëmë pas përfundimit të numërimeve.