Shqipëria përmes KKSH-së, do të financojë blerjen e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë nga Lugina e Preshevës

Shqipëria përmes KKSH-së, do të financojë blerjen e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë nga Lugina e Preshevës

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë Gent Cakaj ka njoftuar se Këshilli i Ministrave të Shqipërisë ka vendosur dhënien e një mbështetjeje shtesë financiare për Këshillin Kombëtar në Luginë të Preshevës me qëllim blerjen e teksteve shkollore.

Lajmin Cakaj e ka bërë të ditur me anë të një postimin në llogarinë e tij në Facebook.

“Ky vendim i shërben nxënësve shqiptarë që ndjekin procesin mësimor në institucionet e sistemit parauniversitar në tre komuna: Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë. Ky vendim është në funksion të rritjes së edukimit në përgjithësi dhe ruajtjes së identitetit kombëtar në veçanti”.

“Shqipëria mbetet e përkushtuar për rritjen e kujdesit për të gjithë shqiptarët në rajon dhe diasporë në përgjithësi”, ka shkruar Cakaj.

Megjithate, kjo është hera e tretë, që Ministria për Punë të Jashtme dhe Europë ndanë ndihma financiare për Këshillin Kombëtar Shqiptar.