Ramiz Lladrovci: Valës së ftesave nga Gjykata Speciale iu bashkova edhe unë

Ramiz Lladrovci: Valës së ftesave nga Gjykata Speciale iu bashkova edhe unë

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka bërë të ditur se është ftuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë.

Siç ka thënë Lladrovci, përmes një postimi në Facebook, data e dhënies së dëshmisë së tij do të jetë më 19 dhjetor.

“Kurrë në jetë, as kam pasur hamendje as kam dilemë për drejtësinë e luftës tonë çlirimtare, rrugën e ndjekur deri në çlirim dhe për pastërtinë e saj shembullore”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.

Postimi i plotë:

Valës së ftesave, nga Dhomat e specializuara, iu bashkova edhe unë, në cilësi të dëshmitarit.

Nuk kam informata as dijeni më shumë se sa shkruan në ftesë. Data e dhënies së dëshmisë është më 19 dhjetor 2019.

Kurrë në jetë, as kam pasur hamendje as kam dilemë për drejtësinë e luftës tonë çlirimtare, rrugën e ndjekur deri në çlirim dhe për pastërtinë e saj shembullore.

Përjetësisht krenar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës!

Ftesa për Lladrovcin vjen një ditë pasi një e tillë i kishte ardhur edhe kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli.

Ai gjatë ditës së enjte kishte thënë se ka pranuar ftesë nga Dhomat e Specializuara për t’u intervistuar më 4 dhjetor në Hagë, ftesë të cilës ka thënë se do t’i përgjigjet pozitivisht.

“Gjithë jetën kam qenë i angazhuar për të mirën e Kosovës dhe këtë e kam bërë tërësisht në baza vullnetare dhe me përkushtimin më të lartë. E kam nisur si fëmijë, si nxënës i shkollës fillore në Mitrovicë, me demonstratat e prillit të vitit 1981, si pjesëmarrës, e pastaj në shumicën prej tyre edhe si organizator dhe drejtues. Nga mesi i viteve ’80, unë kam hyrë me ideal në organizatat patriotike, anti-jugosllave, për ta kundërshtuar robërinë dhe për të punuar për lirinë. Kam qenë i bekuar që isha një ndër ideatorët dhe themeluesit e saj, luftëtar i lirisë deri në çlirimin e vendit”, ka thënë Veseli në konferencë para gazetarëve.

Ndryshe numri i personave të ftuar deri më tani nga Gjykata Speciale ka arritur të kalojë shifrën 100, teksa pjesë e intervistimeve ishin edhe figurat e rëndësishme të skenës politike në vend, si: kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa dhe ish-komandanti Sami Lushtaku, një ndër udhëheqësit kryesorë të Noredimës, Shukri Buja, Time Kadrijaj, Sylejman Selimi e shumë ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.