Komuniteti artistik organizoi takim përkujtimor në nder të Arzana Krajës

Komuniteti artistik organizoi takim përkujtimor në nder të Arzana Krajës

Komuniteti artistik ka organizuar të premten takim përkujtimor për regjisoren Arzana Kraja, e cila ndërroi jetë ditë më parë në banesën e saj. Miq, kolegë e profesorë, patën fjalët më të mira për regjisoren, për të cilën u tha se ka lënë mbrapa një pasuri të çmueshme artistike.

Mikja e studimeve, Zana Radogoshi, solli para të pranishmëve momentet me të ndjerën duke thënë se Arzana kishte pasur një rol të rëndësishëm në jetën e saj profesionale dhe personale.

Një ndër bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë, profesori dhe aktori, Shkumbin Istrefi, me të cilin kishin qenë pjesë e serialit vendor “Kafeneja jonë” për më shumë se 10 vite e së fundmi edhe në filmin “Fusha e mëllenjave”, vlerësoi lartë regjisoren e ndjerë.

Ai tha se Arzana ishte e përkushtuar shumë në punë dhe kërkonte përkushtim e sukses në çdo projekt. Istrefi tha se regjisorja nuk bënte asnjëherë kompromis me vlerat dhe se e ka të vështirë të pranojë që ajo nuk është më.

“Arzana ishte e përkushtuar në punë në kohën kur kjo cilësi nuk vlerësohet. Lexonte kur leximi konsiderohej humbje kohe. Kërkonte dije kur dija nuk është në modë. Ishte shok kur ky virtyt është shndërruar në interes për manipulim. Arzana insistonte në vlerë edhe aty ku të gjithë ishin të gatshëm të hiqnin dorë. Arzana mbronte vlerat njerëzore dhe mbeti njeri me vlera që sot rrallë mund t’i hasim. Nuk bënte kompromis me vlerat, por në fund bëri kompromis me jetën. E kam tejet të vështirë të mirëkuptoj dhe të pranoj që Arzana nuk është më. Jam përjetësisht falënderues dhe krenar që pata rastin ta njoh”, ka deklaruar ai.

Arzana Kraja ishte në përfundim të studimeve master për skenar filmi pasi kishte mbaruar studimet për regji dhe nuk ishte e largët dita kur ajo do të mbronte diplomën me një tjetër shfaqje si skenariste. Profesori Zymber Kelmendi, i cili ishte mentor i Arzanës, tha se kishte pasur fatin të punonte me një njeri jo vetëm të talentuar por edhe me bagazh të madh profesional.

Kelmendi tha se Kraja nuk ishte vetëm regjisore e fotografive të bukura por edhe skenariste e ideve të thella e se ajo ishte vetëm në fillimin e një karriere të shkëlqyeshme. Ai foli edhe për veprën që ka lënë mbrapa Kraja duke shtuar se do të kujdeset që ta realizojë.

“Kisha fatin që gjatë këtij viti të fundit të jem afër Arzanës në procesin e punës së saj kreative, jo si udhëheqës, por si një bashkërrugëtues, pasi Arzana Kraja nuk ishte vetëm regjisore e fotografive të bukura por edhe skenariste e ideve të thella. Ne komuniteti artistik e njohim punën e Arzanës, ato që janë bërë ashtu siç e dimë, ky ishte vetëm fillimi i një karriere të shkëlqyeshme që kishte përpara. Unë e njoh dhe kam edhe një vepër të saj një vepër për të cilën do të përkujdesemi të realizohet, me aq sa kam mundësi, bëhet fjalë për një skenar që pothuajse e kishte të përfunduar të cilin do ta mbronte së shpejti e që është një skenar i shkëlqyer, një vepër që ajo na la, jo vetëm për ta kujtuar atë por edhe për të reflektuar për veten tonë”, është shprehur Kelmendi.

Në sirtarin e Arzana Krajës tashmë kanë mbetur shumë skenarë e vepra të shkruara që ndoshta nuk do të shohin dritën, por kujtimi për të nuk do të shuhet asnjëherë.

Në këtë takim përkujtimor të komunitetit artistik për kolegen e tyre të ndjerë u tha gjithashtu se puna e Arzanës do të shërbejë si mësim dhe si përkujtim se pse njerëzit duhet të respektohen dhe të vlerësojnë njeri-tjetrin edhe për së gjalli.

Në emër të familjes Kraja, foli motra e vogël e të ndjerës, Gresa, e cila tha se Arzana do të duhet të kujtohet vetëm e buzëqeshur, duke kënduar e vallëzuar dhe në asnjë mënyrë tjetër.

“Arzana ka qenë shpirt i bardhë e cila na la fizikisht por nuk do të na lejë kurrë shpirti i saj, ka me qenë gjithmonë me ne, e buzëqeshur duke kënduar e duke vallëzuar, e vetëm ashtu duhet ta kujtojmë. Në asnjë rrethanë tjetër. Në emër të familjes Kraja ju falënderoj”, u shpreh ajo.

Në fund të këtij takimi që u mbajt në Teatrin Kombëtar u shfaqën edhe veprat filmike të Arzana Krajës.