Eskalon situata: Nisma e akuzon VV-në për orgji në parti

Pas vendimit të Gjykatës Supreme për votat nga Serbia, ka pasur disa përplasje në mes të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate


Erzen Musliu, zëdhënës i degës së Nismës në Prizren, i është përgjigjur Alban Krasniqit, i cili ka lëshuar akuza në drejtim të zyrtarëve të Nismës në QNR për ngacmime seksuale.

 “Kur burri i Albulena Haxhiut flet për moralin, i paska harruar orgjitë në Vetëvendosje”, ka shkruar Musliu.

Në anën tjetër, anëtari i VV-së, Alban Krasniqi, i është kundërpërgjigjur akuzave të Nismës, duke thënë se kjo parti ka sjellë llumin e saj në QNR dhe po i ngacmojnë seksualisht vëzhgueset.

Krasniqi përmes Facebook-ut ka thënë se KQZ-ja duhet të reagojë pasi Qendra e Numërimit dhe Rezultateve nuk është Han i Fatmir Limajt.

“Kanë sjellë në QNR llumin e tyre gjoja si vëzhgues me qëllim krijimin e tensioneve e pse jo edhe dëmtimin e kutive. Në vazhdimësi bëjnë presion mbi stafin, krijojnë insinuata, ngacmojnë seksualisht vëzhguese, kërkojnë pavlefshmëri votash. KQZ-ja duhet t’ua tregojë vendin këtyre matrapazëve sepse aty është QNR dhe jo Han i Fatmir Limajt”, ka shkruar Krasniqi.

Ndryshe, Nisma ka akuzuar anëtarët e VV-së në KQZ, Adnan Rrustemi dhe Nazlie Balaj, për presion e kërcënime që po ua bëjnë punëtorëve të QNR-së në procesin e rinumërimit.