Franca ka dërguar shteteve anëtare të Bashkimit Europian një dokument jo formal në të cilin kërkohet “qasje e rinovuar” në procesin e zgjerimit ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pika kyçe e propozimit francez është parimi i ‘reversibilitetit’ për të padëgjueshmit.
Radio Europa e Lirë ka mësuar se Franca kërkon nga Komisioni Europian që nga janari i 2020’s të shpallë metodologjinë e re për procesin e anëtarësimit që do të aplikohej me rastin e negociatave të anëtarësimit me kandidatët në union.
REL kaishte qasje në të ashtuquajturin “non-paper” dokument në të cilin ceket se janë “shumë të ngadalta” transformimet e thella, politike, ekonomike e shoqërore, të nevojshme për anëtarësimin e ardhshëm në BE, dhe janë me pak përfitim konkret për qytetarët e vendeve kandidate për anëtarësim.
“Atëherë kur të nisin negociatat, procesi i integrimit tani më nuk do të bazohej në hapjen e shumë kapitujve tematik, por në disa faza të njëpasnjëshme, të cilat do të formonin blloqe koherente të politikave dhe skemë të cilën BE e përcakton, duke marrë në konsideratë veçoritë e secilit kandidat, aty ku kjo është e përshtatshme” shkruhet në dokument.
Sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore do të mbeteshin, sipas propozimit francez, kërkesë kyçe që nga momenti i çeljes së negociatave e do të mbesnin të tillë në të gjitha fushat gjatë procesit.
Parashikohet që kalimi nga një fazë në tjetrën do të shpalosej në detaje, e kryesisht do të bazohej në “përparimin e pakthyeshëm e të vazhdueshëm në fushën e sundimit të ligjit”.
Vendet kandidate do të duheshin të përshtatin kapacitetet institucionale e administrative nevojës së pjesëmarrjes efikase të politikave të ndryshme. Për anëtarësimin final do të vendosej në bazë të përmbushjes së synimeve të prekshme ekonomike dhe konvergjencave shoqërore.
Franca ka parashikuar edhe ndihmë financiare shtesë në procesin para anëtarësimit për Ballkanin Perëndimor që nënkupton instrumente para anëtarësisë, por edhe qasje në fonde strukturore që tani janë të rezervuar vetëm për vendet anëtare të BE’së.
Propozimi kryesor nga Parisi ndërlidhet me aprovimin e parimit të reversibilitetit pasi konsiderohet që kjo do të shtonte besueshmërinë dhe shtysë natyrës së procesit.
Parisi konsideron se ky parim është i nevojshëm për zgjidhjen e situatave në të cilat shtetet kandidate pjesërisht apo në tërësi nuk përmbushin kritere të caktuara, apo ndalojnë përmbushjen e detyrimeve të zotuara.
Në këto raste, sipas dokumentit francez, përgijgja e BE’së do të ishte fazore dhe proporcionale ndaj shkallës dhe seriozitetit së lëshimeve, e do të silleshin pre ndërprerjes së ndihmës financiare e deri në suspendimin e tërësishëm, në rast se parimet dhe vlerat bazë të Bashkimit Europian vihen në pikëpyetje.
Dokumenti i Parisit konfirmon “mbështetjen e plotë” të perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe thekson se i gjithë rajoni i takon Europës, me histori , kulturë e gjeografi.
Lidhjet më të afërta me Bashkimin Europian janë e vetmja mënyrë që këto shtete të konsolidohen, bazuar në sundimin e ligjit dhe shoqëri të hapura dhe pluraliste, duke u angazhuar në përparimin e tyre ekonomik dhe shoqëror” shtohet në dokumentin francez.
Dokumentet e ashtuquajtura “Non-paper” janë jo formale që kryesisht qarkullojnë në negocimet e brendshme të institucioneve të BE’s1%, posaçërisht mes anëtarëve dhe ka për synim arritjen e marrëveshjeve për mospajtime rreth çështjeve politike.
Franca në shumë raste ka reaguar në nevojën për ndryshim të qasjes në negociata të anëtarësimit në union dhe çelja e negociatave të reja është kushtëzuar me ndryshim të metodologjisë. Kjo ishte edhe arsyeja e paraqitur në samitin e BE’së në tetor kur u bllokuan nisja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.