“Nga rreziku për jetë dhe dy ditë me aparate”, Vuçiq kthehet në punë

“Nga rreziku për jetë dhe dy ditë me aparate”, Vuçiq kthehet në punë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dalë nga spitali, ku ishte shtruar për shkak të problemeve në zemër, raportoi transmetuesi publik serb, RTS. Këshilltarja e tij ka thënë për BBC’në gjuhën serbe se shefi i saj ka dalë në punë sot edhe pse do të punojë me kufizime.

Sipas burimit të njëjtë, gjendja shëndetësore e Vuçiqit është stabile.

Zyra e tij ka thënë se presidenti është shtruar në spitalin ushtarak të Beogradit më 15 nëntor, si pasojë e “problemeve kardiovaskulare”.

“Mjekët ia kanë shpëtuar jetën të premten”, ka thënë ministri serb i Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar.

“Kur është pranuar, është vlerësuar se jeta e tij është në rrezik”, ka shtuar ai.

Vuçiq, 49-vjeçar, ka thënë se do të kthehet në punë ditën e hënë.

Kjo është hera e parë që zyrtarisht zbulohet se Vuçiq vuan nga problemet në zemër.

Ai është president i Serbisë që nga viti 2017 dhe është përballur me akuzat për frenimin e lirisë së mediave dhe të demokracisë.