Pacolli në Francë: Presim rritje investimesh

Vazhdon mbështetja franceze për Kosovën....

“Ejani në Kosovë, në vendin e një rinie të mrekullueshme, por që ka nevojë për shpresë, në vendin, që tradicionalisht, në arsimin e vet, në kulturën e vet ka qenë i orientuar nga Franca. 

Fjalët e Presidentit Macron për integrimin e Ballkanit Perëndimor kanë qenë shpresëdhënëse për ne“, i ka thënë ministri i jashtëm Behgjet Pacolli, Ministres për Çështje Evropiane në Ministrinë për Evropë dhe Punë të Jashtme, Nathalie Loiseau, në takimin e tyre në Quai d’Orsay, njofton MPJ përmes një komunikate për media.

 Pacolli kërkoi shtimin e pranisë së ekonomisë franceze në sektorin minerar, energjetik, dhe në veçanti në bujqësi. Në vazhdim, ministri Pacolli e njohu ministren franceze me përpjekjet pozitive të qeverisë së re, ku AKR pati rol zhbllokues dhe më pas me perspektivën e integrimit ndërkombëtar të Kosovës, për të cilën kërkoi ndihmën e Francës, si dhe për qasjen e Kosovës në dialogun me Serbinë. Pacolli tha se Franca duhet të na ndihmojë për liberalizimin e vizave, në zgjerimin e njohjeve për shtetin e Kosovës, ku ka patur rol kryesor, ashtu si dhe në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. 

Nga ana e saj, Ministrja Loiseau, e vlerësoi krijimin e qeverisë së re të Kosovës dhe inkurajoi rol më të fortë të saj në integrimin evropian, në përmbushjen e kushteve “që ndoshta ndonjëherë janë të ashpra, si pasojë e presionit populist në opinionet tona publike“, tha Ministrja Loiseau.

 Ajo, gjithashtu, kërkoi vëmendjen e qeverisë për ndërmarrësit francezë, si dhe për zgjerimin dhe mbrojtjen e mësimdhënies së gjuhës frënge. “Franca do të jetë aleate e pamohueshme e Kosovës, për integrimin evropian, për dialogun me Serbinë, për njohjet e shtetësisë dhe në çdo proces tjetër përparimi ka ri-konfirmuar qëndrimin francez përkitazi me Kosovën“, theksoi Ministrja Loiseau.