SHTATËDHJETË E KATËR VJETORI I SHKOLLËS SHQIPE NË PRESHEVË

Autori: Sadri Qazimi

Sfidat që i përballoi arsimi shqip deri në ditët tona. Arsimimi dhe edukimi i popullit shqiptarë në gjuhën amtare ka kaluar duke përballuar shumë vështirësi dhe sfida të mëdha që zgjatën gati 2000 vjet, sepse Perandoria Ilire dhe Dardania përfundimisht ranë nën sundimin e Perandorisë Romake në vitin e nëntë (9) të shekullit të parë të erës sonë, pas 250 vitesh luftrash heroike.

            Edhe gjatë sundimit të Perandorisë Osmane që zgjati gati 500 vjetë, shqiptarëve nuk iu lejua të shkolloheshin në gjuhën e tyre amtare deri në fund të shekullit nëntëmbëdhjetë (19-të). Edhe pse gjuha shqipe shkruhej me alfabet latin, siç ishin Gjon Buzuku, Frank Bardhi, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani dhe me alfabet turko-arab, Hasan Zyko Kamberi, Muhamet Çami dhe shumë shkrimtarë dhe studiues tjerë, shkolla të organizuara me program në gjuhën shqipe nuk pati.

            Hapjen e shkollave shqipe dhe pavarësinë e Shqipërisë e përgatitën me shumë mundime e sakrifica, Rilindasit shqiptarë, njerëzit më mendjendritur që I kishte populli shqiptarë, duke filluar nga Naum Veqilharxhi, Kristoforidhi, Sami Frashëri, Naim Frashëri, Hoxha Tahsini, rektor i parë i Universitetit të Stambollit, Thimi Mitko, Jani Vreto, Jeronim De Rada etj.

            Politikanët e mëdhenjë: Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Abdyl Frashëri, Luigj Gurakuqi, Pashko Vasa dhe një plejadë e shumë intelektualëve të tjerë.

            Vendimet e Kongresit të Berlinit, i mbajtur në vitin 1878 e sakatosën çështjen shqiptare. Serbia u pranua shtet deri në Ristoc, Mali i Zi u pranua shtet me 180 mijë banorë. Greqia ishte pranuar më herët, ndërsa shqiptarët nuk u përfillën fare.

Abdyl Frashëri u mundua t’i bindë fuqitë e mëdha se edhe shqiptarët kanë të drejtë të formojnë shtetin e tyre sikur popujt tjerë, por nuk ia arriti qëllimit. Madje siç kemi lexuar, Abdyl Frashërit i kishin thënë se s’ka komb shqiptarë që jeton në territor kompakt, që ka gjuhë standarde, që ka kulturë materiale dhe shpirtërore, që ka të kaluarën e vet historike. Shqipëria është vetëm term gjeografik, i thanë delegacionit shqiptarë. Këto vendime monstruoze i pritën me indinjatë të thellë intelektualët e Rilindjes Kombëtare dhe i gjithë populli shqiptarë.

Këtu u pa qartë se pa ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe pa hapjen e shkollave shqipe, Shqipëria nuk do të bëhet shtet i pavarur dhe sovran. Vendimet e turpshme të Kongresit të Berlinit shqiptarët nuk I pranuan dhe e formuan Lidhjen Shqiptare të Prizërenit në qershor të vitit 1878 në Prizëren.

Vendimet dhe programi politik i Lidhjes së Prizërenit parashihnin bashkimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare dhe formimin e shtetit të përbashkët shqiptar. Vendimet e Lidhjes së Prizrenit janë aktuale edhe sot pas 141 vitesh, por realizimi i tyre kërkon rrethana tjera historike dhe organizim të mirëfilltë gjithëkombëtar.

Osmanlijtë e shuan me gjak Lidhjen e Prizrenit. U vranë shumë luftëtarë shqiptarë, siç ishin Mic Sokoli, I cili ra heroikisht në Slivovë të Kosovës. U vra Sefë Kosharja. Ymer Prizreni, kryetar i Lidhjes së Prizrenit u arratis në Mal të Zi ku edhe vdiq. Sylejman Vokshi u dënua me vdekje, ndërsa Abdyl Frashëri u dënua me burgim të përjetshëm. Tri vjet i vuajti në Kalanë e Prizrenit, mandej e dërguan në një burg në brigjet e Detit Marmara në Turqi. I sëmurë nga pasojat e burgut, Abdyl Frashëri vdiq në vitin 1892.

HAPJA E SHKOLLËS SË PARË SHQIPE

            Pas shumë kërkesave dhe sakrificave të intelektualve shqiptarë, u hap shkolla e parë shqipe në Korçë më 7 Mars të vitit 1887 me mësuesin e parë, Pandeli Sotirin. Kjo ditë e shënuar dhe historike e arsimit dhe kulturës shqiptare, po përkujtohet dhe manifestohet si “Dita e Mësuesit” në të gjita trojet etnike shqiptare. Mirëpo pas tre viteve e vranë Pandeli Sotirin në Stamboll armiqtë e Shqipërisë, të nxitur nga kisha reaksionare greke.

            Në vitin 1905 e vranë Papa Kristo Negovanin dhe e grinë së bashku me vëllain e tij. Në vitin 1911 e helmuan Petro Nini Luarasin, mësuesin dhe patriotin e madh të cilin e quanin “Shqiponjë e Gjuhës Shqipe”.

U zgjërova pak në rrugëtimin nëpër të cilin kaloi arsimi dhe kultura shqiptare nën sundimin e pushtuesve, jo për të thënë gjëra të reja që nuk dihen, sepse sot kemi shkrime, madje edhe libra për arsimin dhe kulturën shqiptare edhe në Preshevë dhe Luginë të Preshevës. Në vazhdim të këtij artikulli do të përqëndrohem në hapjen e shkollave shqipe në Preshevë dhe rrethinë.

Nuk më kujtohet kur e kemi përkujtuar e lëre më ta festojmë 7 Shkurtin 1945, ditën e hapjes së shkollës së parë me mësim në gjuhën shqipe në Preshevë gjatë gjithë të kaluarës historike të shqiptarëve në këto troje, përpos 50 vjetorit të arsimit shqip 1945-1995. Pesëdhjetë vjetori i hapjes së shkollës shqipe në Preshevë u manifestua nga puntorët arsimorë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në sallën e shtëpisë së kulturës në Presheve. Krahas 7 Marsit “Dita e Mësuesit” që përkujtohet dhe kremtohet në të gjitha trojet etnike shqiptare, duhet të përkujtohet dhe të kremtohet edhe 7 Shkurti si ditë e shënuar dhe historike për arsimin dhe kulturën shqiptare në Preshevë me rrethinë, madje në tërë Luginën e Presheës.

Ka pasur raste kur është anashkaluar hapja e shkollës së parë shqipe në Presheve, ose është përmendur sa për sye e faqe. Sikur kanë frikë se shkollën shqipe e hapi Abdulla Krashnica me shokët e luftës me ideologji komuniste. Jam i mendimit që në të ardhmen të përkujtohet edhe 7 Shkurti, fillimi i shkollimit të shqiptarëve në gjuhën amtare dhe të jemi krenarë për të arriturat tona në lëmin e ekonomisë dhe në fisnikërimin e jetës së popullit, të arriturat në lëmin e arsimit të edukimit, të kulturës, të shëndetësisë. të shkencave dhe të arteve etj.

 

HAPJA E SHKOLLËS SË PARË SHQIPE NË PRESHEVË

Më 7 shkurt të vitit 1945 u hap shkolla e parë me mësim në gjuhën shqipe në Preshevë, pas shumë shekujve në robëri. Këtë shkollë e hapi solemnisht Abdulla Krashnica, udhëheqës dhe organizator i LANÇ-së, i cili ende nuk e kishte hequr uniformën e ushtarakut të lartë të asaj armate. Shkolla I filloi mësimet në Villën “LETAFET”, pronë e arsimdashësit dhe atdhetarit Abdulla Haxhi Veliut.Mendoj se kjo ndërtesë duhet të shndërrohet në muze të arsimit dhe të kulturës shqiptare të Preshevës. Mësuesit e parë të kësaj shkolle ishin: Hilmi Qerimi, Nazmi Mustafa, Abdulla Ukshini, Tajar Zylfiu nga Elbasani etj. Ky flakadan i ndezur i diturisë u përhap si flaka olimpike dhe përfshiu vendbanimet shqiptare të Luginës së Preshevës dhe më gjerë.

Me rastin e hapjes së kësaj shkolle, Abdulla Krashnica kishte thënë: “Rezultatet e kësaj shkolle, këtij tempulli të diturisë, do të përjetësohen pas 40 vitesh”.

Abdulla Krashnica erdhi si meteor, i ndriçoi këto hapësira dhe shkoi në botën e amshueshme dhe nuk arriti t’i realizojë idealet dhe aspiratat e shqiptarëve për liri, barazi dhe bashkim kombëtar, sepse vdekja ishte më e shpejtë. Ndërroi jetë në spitalin e Shkupit më 15 mars të vitit 1945, vetëm 36 ditë pas hapjes së shkollës së parë shqipe në Preshevë. Vdekja e Abdullahut në moshën 28-vjeçare ka mbetur enigmë e përjetshme me plotë dyshime.

Abdulla Krashnica u radhitë në plejadën e personaliteteve më të shquara që i ka pasur Presheva ndonjëherë. Presheva e ka nderuar dhe akoma e nderon kontributin e tij dhënë kauzës kombëtare, patriotizmin e tij dhe luftën për liri dhe bashkim kombëtar.

Duke filluar nga abetarja dhe 36 shkronjat e alfabetit të gjuhës shqipe në vitin 1945, kemi arritur te Universiteti i Prishtinës 1970 dhe te Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës 1975. Këto të arritura në lëmin e arsimit janë të pa kontestueshme. Në vitin 1948  u hap shkolla tetëvjeçare në Preshevë (quhej Progjimnaz- Gjimnazi i Ulët).

Këtë shkollë e hapi Fehmi Salihu nga Përlepnica e Gjilanit, një arsimtar shembullor dhe atdhetar i devotshëm. Në këtë shkollë vijonin mësimet nxënësit nga fshatrat e Bujanocit dhe të Kumanovës, sepse atje akoma nuk kishte shkolla tetëvjeçare në gjuhën shqipe. Në vitin 1961 në Preshevë u hap edhe gjimnazi. Në këtë shkollë mësimet i vijonin edhe nxënësit nga Kumanova, Bujanoci, Kamenica. Në këtë gjimnaz u pranuan edhe nxënësit e përjashtuar nga gjimnazi i Gjilanit, siç ishin, Rexhep Mala, hero i mëvonshëm i Kosovës, Irfan Shaqiri, ish i burgosur politik, Fatmir Salihu, i biri i arsimtarit tonë Fehmi Salihu, i cili ka qenë i burgosur politik për çështje kombëtare.

Kjo ndodhi kur në gjimnazin e Preshevës drejtor ishte prof.Mustafë Selimi. Kështu, në njëfarë mënyre, Presheva u shndërrua në Voskopojë të arsimit dhe të kulturës shqiptare. Pas vdekjes  së Abdulla Krashnicës, në postin e sekretarit të Rrethit të Preshevës emërohet Selim Selimi, shoku, miku, dhe bashkëluftëtari i Abdulla Krashnicës.

LETRA E SELIM SELIMIT DËRGUAR ENVER HOXHËS

Meqë shkollat shqipe përballeshin me shumë vështirësi, s’kishte godina shkollore, mësimi zhvillohej nëpër mejtepe të xhamive dhe në shtëpi private. Mungonin tekstet dhe mjetet mësimore, gjendja ekonomiko-sociale ishte tepër e vështirë, mbi të gjitha mungonte kuadri arsimor me kualifikime përkatëse. Duke parë këtë gjendje, Selim Selimi ia shkroi një letër Enver Hoxhës, me këtë përmbajtje: “Kryetarit të Qeverisë Shqiptare shokut Enver Hoxha

Me krenari dhe guxim kam nderim me iu shkrue këtë letër, ku ju ban një lutje populli shqiptarë i Rrethit të Preshevës. Mbas vujtjeve dhe shtypjeve të mëdha të popullit shqyptarë nga imperializmi turk, hegjemonizmi i Ish Jugosllavisë dhe në fund nga fashizmi barbar, sot populli shqiptarë po e gëzon frutin e Luftës Nacional Çlirimtare, tue i pasur të drejtat e veta të barabarta me popujt tjerë të Jugosllavisë. Ky frut I themeluem me gjakun e bijëve më të mirë të popujve të Jugosllavisë, po i jep të drejta të plota popullatës së vendit, për të hapë për herë të parë në histori shkollat në gjuhën e vetë amtare. Mirëpo mjerimi ma i madh asht se ne arsimtarë të gjuhës shqipe nuk disponojmë, kështu qi s’po kemi mundësi me i hapë shkollat. Pra, shoku kryetar, për hirë të popullit mundësisht tna dërgoni disa arsimtarë e arsimtare, kështu qi populli të ketë mundësi për të kërkue arsimim në gjuhën e vetë amtare. Besoj se do ta plotësoni dëshirën e popullit, i cili e pret ndihmën tuej me padurim.

Të fala dhe pranoni nderimet e mia ma të nalta”.

Sekretari i Komitetit të Rrethit të Preshevës, Selim Selimi. 10 maj 1945

Letra është shkruar pa korrigjime gjuhësore.

Letra e Selim Selimit dërguar Enver Hoxhës është nxjerrë nga libri i Tefta Camit, ish Ministre e Arsimit dhe Kulturës të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Këtu shihet qartë se me çfarë përkushtimi udhëheqësit shqiptarë të Rrethit të Preshevës i qaseshin arsimimit dhe edukimit të gjeneratave të reja, për tu shkolluar në gjuhën e tyre amtare. Kjo letër e Selim Selimit dërguar Enver Hoxhës, kryetar i Qeverisë së Shqipërisë, botohet për herë të parë pas 74 vjetëve, duke i falënderuar Ministres Tefta Cami, e cila shkroi për Kosovën dhe Preshevën. Këtë tekst ma solli atdhetari i devotshëm dhe aktivisti i palodhshëm, Kadri Rexhepi nga Rainca i punësuar në Zvicër. Kadri Rexhepi vdiq në një moshë relativisht të re, por për kauzën kombëtare dhe realizimin e aspiratave të popullit shqiptarë për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar nuk kurseu asgjë, madje as jetën kur ishte e nevojshme. I qoftë i lehtë dheu i Preshevës dhe dritë pastë shpirti i tij!

            Shkollën shqipe dhe arsimin shqip nuk e ndihmuan vetëm intelektualët. Shkollën shqipe e ndihmuan edhe luftëtarët e lirisë me armë në dorë, pa marrë parasysh përcaktimet e tyre ideologjike dhe politike. Shkollën shqipe e ndihmuan edhe shumë hoxhallarë, disa prej tyre u dergën edhe nëpër burgje. Gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit XX, kur Kosova ishte e pushtuar nga regjimi i Millosheviqit, shkollat shqipe u mbyllën. U mbyll Universiteti  i Prishtinës, Instituti Albanologjik, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Radio Televizioni i Prishtinës, spitalet. Shkollat shqipe i mbajti populli mëpër shtëpi private me ndihmën e madhe të puntorëve tanë në botën e jashtme. Kështu shkollat shqipe, arsimimi dhe edukimi i gjeneratave të reja mbijetuan.

 

RAMIZ SADIKU PËR PUSHTIMIN E SHQIPËRISË NGA ITALIA FASHISTE

            Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, më 7 prill 1939, Ramiz Sadiku, hero i mëvonshëm i Kosovës, e kishte shkruar një poezi për Shqipërinë e robëruar. Ja dy strofë nga kjo poezi:


Oj Shqipni e fashizueme                                             Bajram Curr, o shejt i popullit,
Idealet ku i ke lanë?                                                    Rizë Cerovë o trim dëshmor,  
Për lirinë shumë të madhnueshme                               Ju do të çohni tash prej vorrit,
Gjak ke derdhë ti përgjithmonë                                  Se Shqipnia ju kërkon…

Këtë poezi e kishin kompozuar në këngë, e cila këndohej gjatë Luftës së Dytë Botërore (LANÇ) nga luftëtarët e lirisë dhe ishte bërë “HIT”, nga e cila frymëzohej rinia e atëhershme që luftonte për çlirimin e Shqipërisë. Siç po shihet nga përmbajtja e kësaj poezie, Ramiz Sadiku nuk shkruante për lirinë e Serbisë, të Bullgarisë, të Rusisë, të Kinës, por shkruante për lirinë e Shqipërisë.

Pas rënies së sistemit monist, disa pseudopatriotë, të ashtuquajturit publicistë, analistë e madje edhe disa historianë, u munduan ta njollosin personalitetin e Ramiz Sadikut dhe luftëtarët e LANÇ-së, duke i quajtur padrejtësisht si marionetë, shërbëtorë e servilë të Serbisë, në vend se të krenohemi me veprimtarinë e tyre patriotike. Të mjerë janë ata intelektualë që e kanë lexuar vetëm nga një libër, sepse janë mediokër dhe prej tyre nuk del asgjë.

Ramiz Sadiku me heroizmin e tij ia zbardhi fytyrën gjithë shqiptarisë dhe tregoi si vdiset për liri, për atdhe dhe për ideale të larta kombëtare dhe njerëzore. Në prill të vitit 1943, Ramizi dhe Boro Vukmiroviq ranë në pritë, u arrestuan dhe u dërguan në burgun e Prizrenit. Fashistët italianë dhe disa shërbëtorë shqiptarë, Ramiz Sadikut ia falën jetën me kusht që ai t’i tradhëtojë shokët, LËVIZJEN NACIONAL ÇLIRIMTARE  dhe idealet e lirisë, por Ramiz Sadiku e zgjodhi vdekjen. Të rrallë janë ata njerëz të cilëve u falet jeta, ndërsa ata e zgjedhin vdekjen për realizimin e aspiratave të tyre për liri, barazi dhe pavarësi kombëtare. Kështu fashistët italianë Ramizin dhe Boron i pushkatuan në Landovicë të Prizrenit në prill të vitit 1943. Ramiz Sadiku nuk ishte punëtor arsimorë. Ai ishte atdhetar i devotshëm dhe vdiq heroikisht për lirinë e popullit shqiptarë. Ai nuk ishte profet që ta dinte se a do të realizohen aspiratat e popullit shqiptarë, për të formuar një shtet të përbashkët për shqiptarët e të gjitha trojeve etnike, të bazuar në programin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878, për të cilën luftuan shqiptarët për 141 vjet me rradhë. Këto aspirate, jo që nuk u realizuan pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, por nuk janë realizuar as sot e kësaj dite, viti 2019.

Shqiptarët akoma jetojnë të ndarë në pesë shtete. Prandaj nuk është mirë që të njollosen e fajësohen gjenerata të tëra para nesh, që luftuan u sakrifikuan, jo vetëm për arsimin shqip, por për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së popullit shqiptarë në Ballkan. Të kaluarës historike të popullit shqiptarë duhet t’i jepet vlerësim i mirëfilltë shkencor e jo të flitet e të shkruhet në bazë të thashethemeve dhe me gjuhën e kafeneve, duke mos u bazuar në asnjë argument shkencor.

Lëvizjet nacionaliste dhe luftëtarët e Luftës së Dytë Botërore, që luftuan për themelimit e shteteve nacionale si e drejtë natyrore, etnike, historike, njerëzore e humbën luftën, sepse nuk u radhitën në anën e fituesit, siç ishin Shtetet e Bahkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik, por u radhitën në anën e humbësit, siç ishte Gjermania Naziste dhe Italia Fashiste.  Kështu në Serbi e Mal të Zi humbën çetnikët, në Kroaci humbën ustashët, në Slloveni bellogardistët, në Maqedoni VMRO-istët, në Shqipëri nacionalistët e Organizatës së Ballit Kombëtar. Në vitin 1945 u mbajt Konferenca e Jalltës në Bashkimin Sovjetik nga 4 deri më 11 shkurt. Këtu nuk u përfillën fare lëvizjet nacionaliste, por Lëvizjet Antifashiste Nacional Çlirimtare, të cilat u radhitën në anën e Koalicionit Antifashist. Rusvelti-ShBA, Çerçili-Britani e Madhe, Stalini-Bashkimi Sovjetik e ndanë botën në sfera të interesit. Kjo ndarje në njëfarë mënyre ekziston edhe sot 2019, e cila i solli shumë dëme vetëvendosjes së popullit shqiptar.  Këto vendime të Jalltës, nuk lejuan që popujt e vegjël të robëruar të formojnë shtetet e tyre nacionale.

Nuk thonte kot Ismail Qemali: “Fatet e popujve të vegjël, dalin nga portat e fuqive të mëdha”.

U largova pak nga çështja e shkollës shqipe dhe arsimimi i shqiptarëve në gjuhën e tyre amtare, për të argumentuar se nuk mund të ketë arsimim të mirëfilltë dhe shkolla shqipe pa shtet të përbashkët  nacional për gjithë shqiptarët, që jetojnë në trojet e tyre etnike. Edhe pse shqiptarët dhanë kontribut të madh në Luftën e Dytë Botërore, ne nga fuqitë e mëdha nuk u përfillëm sa duhet dhe çështja shqiptare mbeti akoma kështu siç është edhe sot. Për ta gjetur shkaktarin-fajtorin pse jemi në këtë gjendje, do ta citoj një mendim të Faik Konicës që e shkroi para 100 vitesh: “Shqiptarët janë armiq të vetëvetes. Nëse vazhdojnë kështu edhe 100 vjet, do të jenë edhe më poshtë se ç’janë sot. Do të shuhemi sikur grekët që u shuan, sepse vepruan sikur ne”. Çdo koment këtu është i tepërt, por nuk duhet harruar as faktorët tjerë ndërkombëtarë që ndikuan në mosrealizimin e aspiratave të popullit shqiptarë për liri dhe bashkim kombëtar.    (Fund i pjesës së pare), vazhdon…