SHTATËDHJETË E KATËR VJETORI I SHKOLLËS SHQIPE NË PRESHEVË (Pjesa e dytë)

Autori: Sadri Qazimi

VËRSULJET E REGJIMEVE ANTI SHQIPTARE KUNDËR SHKOLLËS SHQIPE

Siç shkrova edhe më parë, shqiptarët nuk patën të drejta të shkolloheshin në gjuhën e tyre amtare, as në periudhën e Perandorisë Osmane, as gjatë sundimit të Jugosllavisë Mbretërore-borgjeze. Pas mbarimit të LDB-së shqiptarët e fituan të drejtën e shkollimit në gjuhën e tyre amtare. Mësimi zhvillohej me programe të Serbisë, por mësimdhënësit shqiptarë ligjëronin në gjuhën shqipe. Te lëndët ekzakte, matematikë, fizikë, kimi, shkenca teknike etj, nuk kishte ndryshime. Në shkencat shoqërore, siç është historia nacionale, letërsia, arti figurativ, edukata muzikore, vazhdimisht bëheshin cungime saherë që mendonin se po glorifikohen personalitetet historike, e kaluara e popullit shqiptarë ndër shekuj, bëhej mënjanimi i shkrimtarëve nga programet mësimore etj. Forcat nacionaliste të Serbisë, madje edhe ata që punonin brenda institucioneve të sistemit nuk kishin fare besim te punëtorët e arsimit, të kulturës te intelektualët shqiptarë. Ata mendonin se intelegjencia shqiptare, sidomos punëtorët arsimor bëjnë indoktrinimin e nxënësve me ideologji nacionaliste dhe irredentiste. Këto forca dolën në sipërfaqe pas demonstrative të vitit 1981 dhe haptas e shprehën urrejtjen patologjike kundër popullit shqiptar, jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trojet etnike shqiptare.

Sot kur po e shkruaj këtë tekst Kosova është e pavarur, por akoma ka mjaft probleme. Shqiptarët e Maqedonisë janë në pozitë se përpara. Lugina e Preshevës si pjesë e pandashme e trungut shqiptarë, akoma gjendet nën juridiksion të Serbisë. Mirëpo, të arriturat në të gjitha lëmitë e jetës nuk mund të anashkalohen, sidomos në lëmin e arsimit. Në vazhdim do t’i paraqesë në mënyrë statistikore të arriturat në lëmin e arsimit në Komunën e Preshevës për 50 vite, 1945-1995 dhe disa të dhëna të mëvonshme. Nëse merret parasysh fakti se në vitin 1945 kur e filluam shkollimin në gjuhën shqipe, ishim popullatë gati analfabete dhe kur të shikohen rezultatet  e arritura që janë impressive, duhet të jemi krenar.

Nuk mund të kërkohet arsimim i mirëfilltë bashkëkohorë, kur tek disa qarqe shoveniste në Serbi ende mbretëron ideologjia e shekullit XIX dhe XX. Shkrimtari Millosh Crnjanski thoshte: ”Një shqiptarë i shkolluar është një armik më shumë për Jugosllavinë”. Në këtë kohë Crnjanski akoma ishte në mërgim, sepse ishte shkrimtar i cili përkrahe borgjezinë serbomadhe dhe nuk guxonte të kthehej në atdhe. Vlladan Gjorgjeviqi, kryeministër i Serbisë në vitin 1910 shkruante se shiptarët janë të egër dhe me bishta. Ai i shkruante fuqive të mëdha se shqiptarët duhet të ç’rrënjosen.

Elaborati i Vaso Çubriloviqit për dëbimin e shqiptarëve shprehte urrejtje patologjike kundër këtij populli të lashë dhe në vitin 1937 e shkroi elaboratin e tij për dëbimin e shqiptarëve nga të gjitha trojet etnike. Pas këtij vjen nobelisti, Ivo Andriq që e shkroi një elaborate të ngjashëm me atë të Çubriloviqit në vitin 1939. Është i njohur projekti i këshilltarit të Drazha Mihajloviqit, Stevan Moleviq. Ndërsa Projekti i tij quhet “Serbia Homogjene” i shkruar në vitin 1941. Ky projekt parashihte krijimin e Serbisë së Madhe dhe dëbimin e shqiptarëve nga trojet etnike. Moleviqi shkonte aq larg sa kërkonte që edhe Shqiprinë ta ndante me Greqinë për gjysmë dhe mos të ekzistojë më shtet shqiptarë. Ky mendonte të zbatonte këtë projekt nëse fiton Gjermania naziste. Për fat të mirë ky projekt nuk u realizua kurrë. Megjithëatë, shumë çështje kanë ndryshuar edhe në Serbi dhe ska kthim prapa.

Populli shqiptarë, inteligjencia dhe puntorët arsimorë ia arritën qëllimit që për 74 vjet ta ruajnë dhe avancojnë gjuhën shqipe, kulturën dhe kauzën kombëtare edhe pse pësuan goditje të rënda dhe përballuam shumë sfida, dolëm faqebardhë dhe mposhtën errësirën shekullore. Sot shqiptarët po hyjnë në familjen e popujve të civilizuar të Europës, jo si lypsa, por me vlera, të vetëdijshëm se na nevojitet edhe shumë punë dhe sakrifica.

 

ARSIMTARËT E BURGOSUR PËR SHKAQE POLITIKE

 

Siç shkrova edhe më parë, rruga nëpër të cilën kaloi arsimimi dhe edukimi i shqiptarëve në përgjithësi, ndërsa në Luginën e Preshevës në veçanti, përballoi shumë sfida, duke pësuar shumë goditje që nisej nga përjashtimi i puntorëve arsimor nga procesi mësimor deri tek burgosja e tyre. Me këtë rast do t’i përmend disa arsimtarë që kaluan nëpër burgjet serbe në kohëzgjatje të ndryshme:

Hilmi Qerimi i dënuar me 2 vite burg si pjestarë i NDSh-së. Hilmi Qerimi ka qenë mësuesi i parë i shkollës së parë shqipe e hapur më 7 shkurt 1945.

Nazmi Mustafa , gjithashtu mësues i parë i shkollës së parë shqipe në Preshevë. Vdiq nga torturat e burgut në moshë shumë të re.

Skënder Kadriu i vuajti 12 vite burg.

Mark Gashi i vuajti 6 vite burg.

Sejdi Kryeziu  nga Përlepnica e Gjilanit, punoi në fshatin Bukurocë dhe i vuajti 6 vite burg.

Rexhep Salihu-Hoxha  i vuajti dy vite burg  si pjestarë i NDSh-së.

Fehmi Salihu, nga Përlepnica e Gjilanit, e hapi shkollën e parë në Raincë me 6 shkurt 1945 dhe shkollën tetë vjeçare në Preshevë në vitin 1948. I vuajti 3 vite burg dhe vdiq nga pasojat e burgut në moshën 49 vjeçare.

Shaban Xheladini nga Tërnoci e vuajti 1 vit burg. U amnistua për shkaqe shëndetësore. Shabani është babai i Arben Xheladinit, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili u vra në Prishtinë në protestat e Vetëvendosjes më 10 shkurt 2007.

Hetem Arifi nga Ranatoci i Preshevës, u dënua me 9 vite burg, i vuajti 6 vite.

Mustafë Mehmeti nga Rahovica i dënuar me 4 vite burg. E kapi amnistia dhe u lirua para afatit.

Enver Selimi nga Zhunica, u dënua me 5 vite burg. E kapi amnistia dhe u lirua nga burgu para afatit.

Jahi Selimi nga Corrotica, u dënua me 2 vite burg.

Qamil Nuhiu nga Rahovica, u dënua me 4 vite burg.

Zahir Abdullahu nga Bërçeca e Preshevës, u dënua me 3 vite burg.

Prof.Ibrahim Kelmendi, udhëheqës politik i Organizatës së “Ballit Kombëtar” në Preshevë nga 9 shtatori deri më 15 nëntor 1944 në Luginë të Preshevës. E braktisi Kosovën dhe Preshevën në vitin 1945 dhe shkoi në Australi ku edhe vdiq në vitin 1979. Emrin e tij sot e mbanë shkolla fillore në Preshevë.

            Kapitull i veçantë është familja e Hafëz Jashar Hallaçit nga Presheva. Kjo familje i ka dhënë shumë çështjes kombëtare dhe arsimit shqip, por ska fituar gati asgjë, as në periudhën e sistemit monist, as në tridhjetë vitet e fundit të sistemit pluralist (shumë partiak), të ashtuquajtur demokratik.

            Selami Hallaçi djali i madh i Hafëz Jasharit ka qenë mësues në Gjilan dhe sekretar i Inspektoratit të arsimit në Prishtinë në kohën e Italisë fashiste, por mësimin e zhvillonte në gjuhën shqipe. Ka qenë edhe pjestarë i LANÇ-së. Në gusht të vitit 1944 u arrestua nga Gestapoja gjermane dhe u dënua me  vdekje. Më 28 gusht 1944 e varën në Prizren së bashku me Sezai Surroin dhe tetë luftëtarë të tjerë.

            Shinasi Hallaçi, djali i dytë i Hafëz Jasharit i kaloi dy vite në ferrin e Goli Otokut. Ka qenë arsimtar i gjuhës frënge dhe intelektual i mirëfilltë.

            Hulusi Hallaçi, djali i tretë i Hafëz Jasharit, gjithashtu ka qenë i burgosur politik. Punoi në shkollën fillore “Selami Hallaçi” në Rahovicë dhe në gjimnazin “Skëndërbeu” në Preshevë. Ishte një fat që pas kryerjes së dënimit me burg këta puntorë të arsimit e vazhduan punën përsëri si arsimtarë.

Të burgosur prej 1 deri në 6 muaj burg kishte mjaft të tjerë: Prof.Mustafa Selimi, Prof.Fehmi Kelmendi. Arsimtarët, Adem Ahmeti, Ejup Bajrami etj. Kërkojë ndjesë nga puntorët tjerë arsimor, që ishin të burgosur e nuk gjenden në këtë listë, sepse s’kam pasur shënime të sakta për ta. Numri i puntorëve arismor që kaluan nëpër biseda informative nga UDB-ja është i madh. Këtu duhet theksuar edhe përjashtimin e dhjetë profesorëve të gjimnazit “Skënderbeu” në Preshevë dhe tentimi i mbylljes së gjimnazit në vitin 1989, duke përdorë gënjeshtrat dhe dhunën shtetërore.

Këta profesor ishin:

Nazmi Jashari, drejtor i gjimnazit “Skënderbeu” në Preshevë

Rexhep Rushiti, ndihmësdrejtor.

Riza Halimi, profesor i fizikës.

Sami Hasani, profesor i gjuhës angleze.

Ali Aliu-Ahmeti, profesor i biologjisë.

Behlul Nasufi, profesor i sociologjisë.

Avni Shaqiri, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Selajdin Avdiu, arsimtar i bazave të arsimit teknik.

Halil Jusufi, arsimtar i bazave të arsimit teknik.

Naser Haziri, ekonomist i diplomuar.

            Nga procesi edukativo arsimor u larguan edhe disa profesor tjerë të gjimnazit, kinse për tepricë teknologjike, sepse nuk mësohej më lënda e marksizmit e shumë manipulime tjera. Qëllimi kryesor ka qenë mbyllja e gjimnazit, këtë tempull të diturisë, të arsimit dhe të kulturës shqiptare. Musa Hysenit, këshilltar pedagogjik, i kishin thënë atëherë udhëheqësit e rrethit të Vranjës dhe të Leskovcit se gjimnazit “Skndërbeu” në Preshevë do t’ia vejmë një dry prej 18 kg.

            Gjimnazin “Skëndërbeu”në Preshevë e patën shpallur, pa kurrëfarë argumentesh si vatër e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. Një grup punues-ndëshkues erdhi nga Leskovci në shkollën fillore “15 Nëntori”në Preshevë, të cilit i printe Zare Dimitrijeviq. Ata na thanë edhe këtë fjali monstruoze: “Në gjimnazin Skëndërbeu i kemi zbuluar 13 profesorë si armiq të Jugosllavisë socialiste, kundër të cilëve do të merren masa ligjore dhe do të dënohen”. Nga arsimtarët e shkollës “15 Nëntori”e morën këtë përgjigje: “Gjimnazi Skënderbeu nuk është vatër e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptarë, por është vatër e arsimit, e kulturës dhe tempull i diturisë. Profesorët e gjimnazit nuk janë armiq të Jugosllavisë, por intelektualë të mirëfilltë, mësimdhënës të shkëlqyeshëm dhe njerës më të nderuar që i ka Presheva”. Kur i dëgjuan këto fjalë delegacioni nga Leskovci e braktisën mbledhjen, e futën bishtin ndër shalë dhe shkuan të turpëruar nga kishin ardhur.

            Mirëpo, në ato kohë të liga nuk vlente forca e argumentit por argumenti i forcës. Megjithatë, gjimnazi mbijetoi dhe do të mbijetoje derisa shqiptarët të frymojnë në këto troje.

HOXHALLARËT QË PUNUAN NË ARSIM DHE E NDIHMUAN SHKOLLËN SHQIPE

            Meqë mungonin shumë puntorë arsimor për mësim në shkollat shqipe, disa hoxhallarë punuan në arsimimin dhe edukimin  e gjeneratave të reja.

Hafëz Jashar Hallaçi ka qenë mësues i nxënësve shqiptarë gjatë sundimit të Jugosllavisë borgjeze, ndërsa mësimin e zhvillonte në gjuhën serbe. Pas Luftës së Dytë Botërore, Hafëz Jashari punoi në shkollën shqipe të Mateçit të Kumanovës ku edhe u pensionua.

Hafëz Lutfi Ahmeti, ishte imam i xhamisë së Ibrahim Pashës në Preshevë. Ai kapi ditarin dhe mbajti mësim në paralelet shqipe, për disa vite. Hafëz Lutfiu i shkolloi edhe djemtë e tij. Ishte ndër të parët që e dërgoi në shkollë edhe vajzën e tij. Numri i vajzave në shkollat shqipe ka qenë i vogël, për shkak të botëkuptimeve prapanike të prindërve tanë.

Rexhep Salihu-Hoxha ka qenë imam në Norçë. Pas Luftës së Dytë Botërore mori ditarin dhe punoi si mësues në shkollat shqipe. Pa shkëputje nga puna kreu fakultetin e historisë dhe diplomoi në Universitetin e Shkupit. Punoi në shkollën tenike në Preshevë, madje për një mandate ishte drejtor shkolle. Kreu edhe detyrën e inspektorit të arsimit në Kuvendin Komunal të Preshevës.

Demirali Ramadani-Hoxha, nuk punoi si mësimdhënës në shkollë, por kreu detyrën e këshilltarit të arsimit. Demirali Hoxha ka dhënë kontribut të rëndësishëm në hapjen e shkollave shqipe në të gjitha fshatrat e Komunës së Preshevës. Ai e kryente këtë mision me një entuziazëm të madh dhe ishte propaganduesi i shkollimit të shqiptarëve në gjuhën amtare, madje edhe për emancipimin e femrave shqiptare. Demirali Hoxha e dërgoi në shkollë edhe të bijën e tij Kadrijen, e cila u bë ndër mësueset e para të Preshevës. Edhe djali i tij Emini ishte ndër mësuesit e parë të Preshevës, ku punoi derisa u pensionua.

Hafëz Ali Ahmeti ka qenë iluminist dhe rilindas shqiptarë nga Presheva. Lindi në vitin 1856 në Preshevë dhe vdiq në vitin 1952. Hafëz Aliu jetoi 96 vite. U shkollua dhe punoi në Stamboll. Në dy mandate ka qenë drejtor i normales së Prizrenit me mësim në gjuhën turke. Punoi edhe në Gjakovë. Para Luftës së Dytë Botërore e themeloi Medresenë në Preshevë. Nga kjo shkollë dolën shumë hoxhallarë. Pas mbylljes së medresesë në vitin 1947, disa nxënës të ksaj shkolle u bënë mësues dhe arsimuan dhe edukan gjeneratat e reja. Hafëz Aliu si intelektual i mirëfilltë dhe atdhetar i devotshëm nuk pati forcë politike të hapte shkolla në gjuhën shqipe, sepse politika antishqiptare e hegjemoniste serbomadhe nuk lejonte hapjen e shkollave në gjuhën amtare për shqiptarët. Më 19 shkurt 1943 fashistët bullgarë dhe disa shërbëtorë shqiptarë, masakruan familjen e Jashar Norçës. E vranë Jasharin, gruan e tij Hanifen dhe djalin Musahun, vetëm pse djali i Jasharit, Selimi, ishte luftëtarë i lirisë kundër pushtuesve bullgarë. Kur e pyetën Hafëz Aliun për këtë tragjedi, ai e dha këtë përgjigje: “ Do të isha shumë i kënaqur, sikur fatin e familjes së Jashar Norçës, ta përjetonte edhe ndonjë djalë i imi”. Pra Havëz Aliu pranonte të vdiste vetë dhe ndonjë antarë i familjes së tij, vetëm ndonjë djalë i tij të luftonte kundër okupatorit fashist bullgar. Hafëz Aliu e tha këtë mendim kur disa sahanlëpirës shqiptarë, shërbëtorë të fashistëve bullgarë, kërkonin nga ai që të leçitet familja e Jashar Norçës, për ti shkuar në hatër kriminelëve bullgarë. Këtu shihet atdhedashuria dhe patriotizmi i këtij intelektuali të mirëfilltë, edhe pse ai ishte predikues i fesë islame, por me kombësi ishte shqiptar. Kështu fliste Hafëz Aliu para 76 vitesh. Për fat të keq edhe sot e kësaj dite disa alamet intelektualë akoma e ngatërrojnë kombin dhe besimin fetar. Këta individë ose grupe e dëmtojnë çështjen kombëtare dhe i ndihmojnë forcave reaksionare dhe antishqiptare.

Hafëz Nexhati Ahmeti ka qenë i biri i Hafëz Aliut. Studioi shkencat islame në Kairo të Egjiptit. Ka qenë udhëheqës dhe ligjerues i Medresesë së Preshevës deri në mbylljen e saj në vitin 1947. Mirëpo, Hafëz Nexhatiu nuk e ndërpreu punën në arsimimin dhe edukimin e talebeve-hoxhallarëve të rinjë. Ka punuar si imam i xhamisë së poshtme të Preshevës derisa u pensionua. Hafëz Nexhatiu i shkolloi edhe fëmijtë e tij. Sipas rrëfimit të një imam i cili deshi të mbetej anonim, përveç tjerash më ka thënë: “Si  imam i ri që isha me 2-3 imam tjerë, nuk e përfillnim sa duhet shkollimin në gjuhën shqipe, duke menduar se do të rrezikohet feja. Ne nuk guxonim të flisnim hapur për dyshimin tonë lidhur me shkollimin në gjuhën shqipe. Ne i preferonim mejtepet. Këto sjellje tona i kishte hetuar edhe profesori jonë Hafëz Nexhatiu, i cili në një konsultim me gjithë imamët e Komunës së Preshevës, pa i përmendur emrat, na tha: “Mos gaboni të propagandoni kundër shkollimit të shqiptarëve në gjuhën shqipe. Ne me shekuj e kemi pritur shkollimin e shqiptarëve në gjuhën amtare. Njerëzit e shkolluar dhe të ditur nuk e nëpërkëmbin besimin fetar, as nuk e tradhëtojnë kombin e tyre. Ata imamë që nuk e përfillin gjuhën dhe shkollën shqipe, nuk mund ta kryejnë detyrën e imamit”. Kështu Hafëz Nexhatiu e mbronte shkollën shqipe. Ai ka qenë edhe kryetar i Bashkësisë Islame të Preshevës, e cila ishte e lidhur me Bashkësinë Islame të Kosovës. Tash i kemi tri apo katër bashkësi islame në Preshevë dhe Luginë të Preshvës. Kjo ndarje dhe përçarje e predikuesve të fesë islame është e dëmshme për shqiptarët e Luginës së Preshevës, si në aspektin fetar edhe në aspektin kombëtar. Ata imamë që veprojnë kështu i mbrojnë interest e tyre personale dhe grupore. Në këtë mënyrë luftojnë për poste udhëheqëse dhe për përfitime materiale. Këto ndasi dhe përçarje s’kanë asgjë të përbashkët me normat fetare, morale, as me ato kombëtare. Për këto çështje nuk vendosin individët as grupet përçarëse, por besimtarët shqiptarë të fesë islame në Luginë të Preshevës, të cilët nuk do të lejojnë përçarje ndërnjerëzore dhe ndërfetare.

Uniteti i hoxhallarëve, i puntorëve arsimorë, i gjithë intelektualëve shqiptarë, i studentëve, i gjithë popullatës shqiptare, sidomos uniteti  i të gjitha partive politike të Luginës së Preshevës, na nevojitet më shumë se asnjëherë deri tash, sepse fati i jonë gjendet në një udhëkryq të madh, ku mund të vendosen shumë çështje madhore kombëtare.

U zgjerovav shumë në këtë kapitull me të vetmin qëllim për të treguar se pa kontributin e gjithë faktorëve të lartëpërmendur, nuk mund të kemi arsimim dhe edukim të mirëfilltë. Nuk mund të kemi prosperitet në asnjë lëmi të jetës. Naim Frashëri për arsimin shkruante: “Babai i qytetërimit është liria, baba i lirisë është arsimi”. Arsimi është mision i shenjtë, mision historik dhe patriotik. Ata të cilët nuk e kuptojnë kështu duhet ta braktisin arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të reja dhe të merren me profesione të tjera. Asnjëherë për këto 74 vite të shkollimit në gjuhën shqipe nuk kemi pasur kushte më të  mira për zhvillimin e mësimit. Godinat shkollore i plotësojnë të gjitha kriteret pedagogjike. Nuk mungojnë mjetet mësimore as kabinetet për lëndët përkatëse, interneti etj. S’ka puntorë arsimorë pa kualifikime përkatëse. Profesorët mbajnë mësim në ciklin e ultë që do të thotë  se jemi në rangun e shkollave moderne europiane. Edhe pagat s’janë aq të vogla. Mirëpo, mungon entuziazmi i arsimtarëve të gjeneratave të mëhershme, që udhëtonin nëpër baltë edhe nga 15-20 km në ditë në dy drejtime, për ti arsimuar dhe edukuar gjeneratat e reja. Sot shumë arsimtarë shkojnë në punë me vetura, të tjerët i bartin autobusat dhe u paguhet rruga. Nëse punëtorët e arsimit mungojnë një ditë, ajo ditë nuk duhet të paguhet. Këto masa merren kur mungohet pa leje. Megjithatë, nuk mund të themi se s’kemi rezultate në lëmin e arsimit. Shumica dërmuese e punëtorëve të arsimit e kryejnë me nderë punën e tyre. Nëse kemi arritur rezultate të lakmueshme për këto 74 vjetë, atëherë duhet të jemi krenarë për rezultatet e arritura në lëmin e arsimit.

Bota sot është bërë e vogël. Komunikojmë nëpërmjet internetit me Amerikë e Australi, por punën operative të punëtorëve arsimorë nuk mund ta zëvendësojë askush, se përndryshe do të mbylleshin shkollat. Njerëzit nuk vlerësohen sipas përkatësisë kombëtare, gjinore, racore, ideologjike, politike, ose sipas botëkuptimeve fetare, siç janë muslimanët, të krishterët, besimtarët hebraik, budistët etj. Njerëzit vlerësohen sipas rezultateve që i arrijnë në punë dhe veprat që ia lënë popullit të vet dhe gjithë njerëzimit, sepse puna është masë themelore që përcakton vlerën e njerëzve. Kjo nuk vlen vetëm për arsimin, por për të gjitha veprimtaritë njerëzore.

Popujt e civilizuar të Europës dhe të botës i kushtojnë rëndësi të madhe arsimimit dhe edukimit të gjeneratave të reja, sepse pa arsimim bota do të mbetej në errësirë. Njëri ndër pedagogët e shquar dhe i rrespektuar në gjithë Europën ka qenë, Johan Heinrih Pestaloci. Llogaritet ndër themeluesit e pedagogjisë moderne e vendosur në baza shkencore. Pestaloci arsimoi dhe edukoi edhe fëmijët jetima dhe fëmijët e të varfërve. Pestaloci u lind në Cyrih më 12 Janar 1746, dhe vdiq në Bryg me 17 shkurt 1827. Në shenjë respekti për veprën e tij madhore, në lëmin e arsimit dhe të edukimit, në pllakën e mermertë të varrit të tij ia shkruan këtë epitaf: “Baba i bonjarëve-jetimave, mësues i popullit, edukues i njerëzimit, themelues i shkollës së re popullore, gjithçka për të tjerët asgjë për veten”. Punëtorët arsimorë nuk mund të jenë si Pestaloci, por misionin e shenjtë, historik dhe patriotik duhet ta kryejnë me nder. Puna e pestalocit në eduikimin dhe arsimimin e popullit, idetë e tij për themelimin e pedagogjisë moderne të asaj kohe janë edhe sot udhërrëfyes për punëtorët arsimorë kudo që janë dhe na mëson si duhet të kryhet ky mision i shenjtë. Punëtorët arsimor nuk pasurohen me pagat që i marrin. Misioni i tyre është arsimimi dhe edukimi i gjeneratave të reja. Pasuria më e madhe e punëtorëve arsimor është kur i shohin nxënësit e tyre që arrijnë rezultate kulminante në lëmin e arsimit, të kulturës, të arteve dhe të shkencave. Ish nxënësit e shkollave të Preshevës ligjërojnë në Universitetet e Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë, madje po depërëtojnë edhe në institucionet prestigjioze të Europës. (Fund i pjesës së dytë) vazhdon…