SHTATËDHJETË E KATËR VJETORI I SHKOLLËS SHQIPE NË PRESHEVË (Pjesa e tretë)

Autori: Sadri Qazimi

REZULTATET E ARSIMIT SHQIP TË KOMUNËS SË PRESHEVËS 1945-1995

Për 50 vite të arsimit shqip, në klasën e parë të shkollave fillore në Komunën e Preshevës janë regjistruar 34339 nxënës. Klasën e tetë të shkollës fillor e kanë kryer 14495 nxënës, prej këtyre femra janë 4642. Numri i vogël i femrave që mbaruan klasën e tetë arsyetohet me mosvijimin e shkollimit nga vajzat shqiptare, për shkak të botëkuptimeve prapanike të prindërve të tyre, se femrat duhet të jenë amvise të mira, e jo të shkollohen krahas meshkujve në të gjitha nivelet e shkollimit prej atijë fillorë deri tek ai universitar. Mirëpo prosperitetin e një populli nuk mund ta ndalin prapambeturitë e trashëguara nga e kaluara e vështirë e popullit tonë, i cili i përballoi të gjitha sfidat, duke sakrifikuar gjithëçka, doli faqebardhë dhe mbijetoi. Pa arsimimin dhe emancipimin e femrës shqiptare do të ishim gjysmë populli. Sot, shkurt 2019, kur po i shënoj këto të dhëna, numri i femrave që i vijojnë mësimet në shkollat fillore dhe në shkollat e mesme, është shumë më i madh se i nxënësve meshkuj. Kështu u thyen të gjitha pengesat që pengonin prosperitetin e popullit tonë.

Në vitin 1961 u hap gjimnazi në Preshevë. Nga viti 1961 deri në vitin 1995, për 34 vite në gjimnazin e Preshevës janë regjistruar 8867 nxënës, prej tyre 1920 vajza. Gjimnazin e kanë mbaruar 5630 nxënës, prej tyre 1230 vajza. Në shkollën e mesme teknike janë regjistruar 1242 nxënës. Shkollën e mesme teknike me 4 vite e kanë mbaruar 400 nxënës. Shkollën e mesme teknike me 3 vite e kanë mbaruar 345 nxënës. Shkollën e mesme teknike me 3 dhe 4 vite e kanë mbaruar 745 nxënës. Të theksojë edhe njëherë se këto të dhëna janë për periudhën 1961-1995 për 34 vite.

Për shkollat fillore të Komunës së Preshevës nuk kemi të dhëna të sakta për numrin e nxënësve nga viti 1995 deri në vitin 2018, sepse numri i nxënësve në shkollat fillore por edhe në shkollat e mesme vazhdimisht po zvogëlohet për shkak të braktisjes së popullatës shqiptare nga Presheva dhe Lugina e Preshevës. Arsyet janë të njohura. Po mbushen 30 vite nga rënia e sistemit monist dhe zhbërja e Jugosllavisë. Qeveria e Serbisë nuk ka investuar asgjë për zhvillimin ekonomik të Preshevës. Në vitin 1987 Presheva i kishte të punësuar 3742 punëotrë në sektorin shoqërorë, duke mos llogaritur këtu ndërmarrësit privat, zejtarët dhe punëtorët tanë të punësuar në botën e jashtme që është një numër mjaft i madh.  Sot, 2019 në sektorin shoqërorë nuk janë të punësuar as 500  punëtorë, që janë 7-8 herë më pak se në vitin 1987. Presheva është komuna ekonomikisht më e pa zhvilluar në Serbi. Në këto rrethana kur nuk shihet kurrëfarë perspektive për një jetë normale, mos të them dinjitoze, shpërngulja është e pashmangshme. Kjo gjendje nuk mund të ndryshohet me gënjeshtra e me patriotizëm të rrejshëm dhe me demagogji. Serbisë duhet t’i bëhet me dije se shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk janë qiraxhinjë në shtëpitë dhe vatrat e tyre shekullore. Vazhdimisht jemi të diskriminuar dhe na llogarisin si qytetarë të rendit të dytë dhe të tretë. Nëse nuk mund të na durojnë, le të na lejohet që vetë ta marrim fatin në duart tona. Faktor tjetër për zvogëlimin e numrit të nxënësve në shkollat tona është edhe rënia e natalitetit te shqiptarët që është dukuri normale për çdo vend në botë. Edhe lëvizjet demografike të popullatës janë dukuri e pashmangshme dhe e pandalshme te të gjithë popujt, por vetëm kur bëhen me vullnetin e njerëzve, jo nga dhuna e regjimeve diktatoriale.

REZULTATET E ARRITURA TË GJIMNAZIT “SKËNDËRBEU” NË PRESHEVË

Gjimnazi i Preshevës u themelua në vitin 1961 si paralele e gjimnazit “Bora Stankoviq” në Vranjë. Në vitin shkollor 1963/64 gjimnazi pavarësohet dhe merr emrin “Zora Socializma”. Në vitin 1968 gjimnazi pagëzohet me emrin e heroit tonë legjendar Gjergj Kastriotit Skëndërbeut. Pas demonstratave të Kosovës të vitit 1981 filluan sulmet kundër këtij tempulli të diturisë dhe në vitin 1989 pushtet mbajtësit e atëhershëm të Beogradit ia ndërruan shkollës emrin, pa pajtimin e personelit arsimor, duke përdorur dhunën dhe metodat diskriminuese si në kohën e Gjordano Brunos dhe inkuizicionit. Gjordano Brunon e dogjën në turrë të drunjëve sepse nuk pranoi dogmën reaksionare të kishës katolike.

Në vitin 1989 deri në vitin 2006 shkolla mbajti emrin “25 Maji”. Në vitin 2006, pas shumë kërkesave të personelit arsimor dhe strukturave tjera udhheqëse të Preshevës, gjimnazit iu kthy emri i mëparshëm “Skëndërbeu”. Këtë emër shkolla e mban edhe sot me krenari. Numri i nxënsve shqiptar që e mbaruan gjimnazin me 4 vite është 9177 prej vitit shkollor 1964/65 deri në vitin shkollor 2017/2018. Numri i nxënësve me mësim në gjuhën shqipe që e kryen gjimnazin me 3 vite është 1950, këtu llogaritet periudha e vitit shkollor 1964/65 deri në vitin shkollor 1991/92. Numri i nxënësve shqiptar që e mbaruan gjimnazin me 4 dhe 3 vite që nga viti shkollor 1964/65 e deri në vitin shkollor 2017/2018 është 11127. Numri i nxënësve të nacionalitetit serbë që mbaruan gjimnazin me 4 vite është 1070, ndërsa me 3 vite është 340. Numri i nënësve serbë që e kryen gjimnazin me 4 dhe 3 vite është 1410. Të dhënat për nxënësit që diplomuan në gjimnazin “Skëndërbeu” në Preshevë prej vitit 1961 deri nëvitin 2018 janë të sakta, zyrtare dhe përfundimtare. Për këto të dhëna të rëndësishme e falënderoj drejtorin e gjimnazit “Skëndërbeu”, Nadër Sadikun dhe pedagogun e shkollës Nexhmedin Veliun.

REZULTATET E ARRITURA TË SHKOLLËS SË MESME TEKNIKE “PRESHEVA” NË PRESHEVË

Nxënësit që e mbaruan shkollën e mesme teknike në Preshevë deri në vitin shkollor 1990/91. Numri i nxënësve që diplomuan me 4 vite të shkollimit është 400. Numri i nxënësve që e mbaruan shkollën teknike me 3 vite është 345. Gjithësej shkollën e mesme teknike me 4 dhe me 3 vite e mbaruan 745 nxënës.

Duke filluar nga viti shkollor 1990/91, kur shkolla mori emrin SHMT Presheva, deri në vitin shkollor 2017/18, shkollën e mesme teknike me 4 vite të shkollimit e kanë mbaruar 3274 nxënës. Shkollën e mesme teknike me 3 vite të shkollimit e kanë mbaruar 1768 nxënës. Numri i nxënësve shqiptarë që mbaruan shkollën e mesme teknike është 4521 ndërsa numri i nxënësve serb është 521. Shkollën e mesme teknike prej vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 2017/18 e kanë mbaruar 5042 nxënës. Këtu duhet të shtohen edhe 745 nxënës që e mbaruan shkollën teknike para vitit 1990, del se shkollën e mesme teknike e kanë mbaruar 5266 nxënës. Të dhënat për nxënësit e diplomuar në shkollën e mesme teknike “Presheva” nga themelimi i shkollës deri në vitin shkollor 2017/18 janë të sakta dhe zyrtare. Për këto të dhëna e falënderoj drejtorin e SHMT  “Presheva”, Talat Arifin, dhe personelin administrativ të shkollës.

Rezultatet përfundimtare për nxënësit që e mbaruan gjimnazin dhe SHMT “Presheva”në Preshevë janë këto. Duke filluar nga viti 1961 deri në vitin 2018 në gjimnazin “Skënderbeu” në Preshevë kanë diplomuar 11127 nxënës shqiptarë. Në SHMT “Presheva” në Preshevë kanë diplomuar 5266 nxënës shqiptarë. Gjithësej në këto dy shkolla të mesme të Preshevës kanë diplomuar 16393 nxënës shqiptarë, ndërsa nxënës të nacionalitetit serbë kanë diplomuar 1931. Derisa nuk i kam pasur këto shënime, as vet nuk kam besuar se kaq shumë nxënës i kanë mbaruar shkollat e mesme, edhe pse 40 vjet kam punuar në arsim. Këto janë të arritura impresive në lëmin e arsimit që ta bëjnë zemrën mal, kur dihet se në vitin 1945 me 7 shkurt u hap shkolla e parë shqipe dhe mësimin e filluam nga abetarja me 36 shkronja të alfabetit të gjuhës shqipe, ndërsa popullata shqiptare e Komunës së Preshevës ishte pothuajse analfabete.

 

REZULTATET E ARSIMIT SHQIP TË KOMUNËS SË PRESHEVËS NË SHKOLLAT E LARTA DHE NË FAKULTETE

Për 50 vite të arsimimit në gjuhën shqipe 1945-1995, në nivel komunal, shkollat e larta i kanë kryer 553 persona, ndërsa fakultetet i kanë mbaruar 573 persona. Shkollat e larta dhe fakultetet i kanë mbaruar 1126 persona. Të gjithë këta persona që i mbaruan shkollat e larta dhe fakultetet për periudhën 50 vjeçare, gjenden të shenuar me emra dhe mbiemra në librin ARSIMI FILLOR SHQIP NË KOMUNËN E PRESHEVËS 1945-1995, i autorëve Haki Sylejmani, Selver Murati, Rexhep Selimi, i botuar në vitin 2001.

Për personat që i mbaruan fakultetet nga viti 1995 deri në vitin 2018, nuk posedoj shënime të sakta, por jam i bindur se ky numër është i dyfishuar, sepse për këtë periudhë 24 vjeçare u hapën edhe shumë universitete publike dhe private në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni. Kemi studentë preshevarë që po studiojnë në Turqi me kushtë shumë të volitshme për shkollim. Kemi studentë që po shkollohen në universitetet e shteteve europiane, të shteteve arabe dhe të shteteve islamike. Për këtë arsye është vështirë të dihet numri i saktë i të diplomuarve nga viti 1995 deri në vitin 2018. Studentët shqiptarë nga Presheva me rrethinë i mbaruan studimet në 43 profile shkencore, duke filluar nga Gjuha Shqipe deri tek fakultetet e Menaxhmentit e të Informatikës dhe fakulteti i Menaxhmentit Ndërkombëtarë të Futbollit, të cilin e kreu Hasan Skender Kadriu nga Presheva dhe Akademinë e Aviacionit Luftarak të ish Jugosllavisë, të cilin e kreu piloti preshevar Besnik Sadri Sadriu.

Nga ish nxënësit e shkollave të Preshevës për 50 vite të arsimit shqip, mësimet post universitare i mbaruan rreth 60 magjistra dhe doktora shkencash dhe të arteve nga disiplina të ndryshme shkencore. Të gjithë këta persona kanë ligjeruar dhe ligjerojnë në Universitetet e të gjitha trojeve shqiptare, në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, ndërsa disa prej tyre edhe në Europë. Përpos punës në fakultete, disa nga doktorët e shkencave nga Presheva kanë kryer edhe detyra udhëheqëse në fakultete të universiteteve shqiptare.

Prof. Dr. Zejnel Kelmendi ka qenë rektor i Universitetit të Prishtinës në dy mandate.

Prof. Dr. Vesel Nuhiu kreu detyrën e dekanit të Fakultetit Filologjik të Prishtinës

Prof. Dr. Nebi Islami kreu detyrën e prodekanit dhe të dekanit të Fakultetit të Arteve në Prishtinë.

Prof. Dr. Naser Ramadani kreu detyrën e kryetarit të Shoqatës së Mjekve të Kosovës.

Prof. Dr. Musa Limani është ekonomist i respektuar në Kosovë dhe më gjerë.

Akademik Rexhep Ismajli është njëri ndër gjuhëtarët më të shquar i të gjitha trojeve etnike shqiptare dhe anëtar i Akademisë Europiane dhe Amerikane të Shkencave. Akademik Rexhep Ismajli në dy mandate kreu edhe detyrën e kryetarit të ASHA të Kosovës.

Akademik Hivzi Islami, në dy mandate kreu detyrën e kryetarit të ASHA të Kosovës.

Akademik Nexhat Daci nga Tërnoci, s’ka qenë nxënës i shkollave të Preshevës, por ishte kryetar i ASHA të Kosovës në dy mandate dhe kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Të përmendim edhe pishtarin e arsimit dhe akademikun e parë të ASHA të Kosovës, Akademik Idriz Ajetin, i cili jetoi 102 vite. Ka qenë kryetar i ASHA të Kosovës.

 

MJEKËT SPECIALIST NË FUSHA TË NDRYSHME TË MJEKSISË

Në vitet pesëdhjeta të shekullit XX, në Preshevë ka punuar vetëm një mjek i nacionalitetit serb, quhej Radoviq, i cili ka punuar me përkushtim shumë të madh në mjekimin e pacientëve të popullatës së Preshevës. Për pesëdhjet vite të arsimit shqip, sipas evidencës që posedoj, kemi 36 mjekë specialistë të profileve të ndryshme të shkencave mjekësore. Të theksoj edhe njëherë se nuk kam mundur të siguroj numrin e magjistrave, të doktorëve të shkencave dhe mjekëve specialistë për 20 vitet e fundit 1999-2019, që besoj se është shumë i madh. Numrin e personave që e mbaruan shkollimin post universitar, emrat dhe mbiemrat e magjistrave, mjekëve specialistë, doktorëve të shkencave dhe arteve, të akademikëve, gjenden në librin “PRESHEVA MBIJETESA NË SPROVAT HISTORIKE DHE AKTUALE”, botuar në vitin 2010, autor Sadri Qazimi.

Në fund të këtij punimi do t’i shënojë me emër e mbiemër nxënësit e gjeneratës së parë të shkollës së parë shqipe e hapur me 7 shkurt 1945 në Preshevë nga Abdulla Krashnica, të cilët e kryen tetëvjeçaren në vitin 1952 dhe vazhduan shkollimin e mëtejshëm. Kontributi i kësaj gjenerate dhënë kauzës kombëtare në lëmin e arsimit, të kulturës, të ekonomisë, të shëndetësisë, në sferën e marëdhënieve shoqërore dhe politike, për avancimin e çështjes kombëtare shqiptare, për emancipimin e femrës shqiptare, për barazinë e plotë të popullit shqiptarë me popujt tjerë është i jashtëzakonshëm.

NXËNËSIT E GJENERATËS SË PARË TË SHKOLLËS TETËVJEÇARE TË PRESHEVËS

Gjenerata e parë që e kryen shkollën tetëvjeçare në Preshevë në vitin shkollor 1951/52.

1.Alajdin Abdiu, nga Presheva, tani jeton në Turqi.
2.Belig Aliu, nga Presheva, profesor i gjuhës shqipe.
3.Feime Abdiu, nga Presheva, tani jeton në Turqi.
4.Iliaz Ahmeti, nga Nasalca, mësues i mësimit klasor.
5.Haki Ajdini, nga Rahovica, mësues i mësimit klasor.
6.Sabri Ajdini, nga Rahovica, arsimtar i historisë dhe gjeografisë.
7.Nefail Ahmeti, nga Rahovica, arsimtar.
8.Sylejman Ahmeti, nga Presheva, arsimtar i edukatës fizike.
9.Nijazi Ahmeti, nga Nasalca, arsimtar i matematikës dhe fizikës, jurist i diplomuar.
10.Zenel Aliu-Kelmendi, nga Presheva, kirurg, doktor i shkencave të mjekësisë.
11.Shefqet Ahmeti nga Presheva, inxhinier i agronomisë.
12.Nesrine Abdullahu-Shehu, nga Presheva, arsimtare e artit figurative.
13.Xhevat Ejupi, nga Presheva, punëotr me kualifikime të larta.
14.Musa Isufi, nga Miratoca, vdiq aksidentalisht nga goditja e rrufesë.
15.Zehra Esati, nga Presheva, jeton në Turqi.
16.Hava Hyseni-Qerimi, nga Presheva, mësuese e mësimit klasor.
17.Qerim Latifi, nga Rahovica, mësues i mësimit klasor.
18.Mysherefe Qerimi, nga Presheva, mësuese e mësimit klasor.
19.Gani Ramadani, nga Presheva, jurist i diplomuar.
20.Daut Sylejmani, nga Rahovica, mësues i mësimit klasor.
21.Qemal Sejfullahu, nga Letovica, shkolla e lartë komerciale.
22.Ymer Shabani, nga Presheva, arsimtar i matematikës.
23.Ruzhdi Ymeri, nga Rainca, profesor i matematikës.
24.Zeqavete Veliu, nga Presheva, mësuese e mësimit klasor.
25.Gjyltekin Shehu, nga Nasalca, doktor i shkencave filologjike, nga gjuha frenge.
26.Teki Shabani, nga Nasalca, profesor i pedagogjisë.
27.Izet Kastrati, nga Karaçeva e komunës së Kamenicës.
28.Muharrem Gashi, nga Tërnoci, doktor i shkencave të mjeksisë.
29.Sali Emërllahu, nga Breznica, magjistër i gjuhës shqipe.
30.Xhafer Hasani, nga Llojani, magjistër.
31.Feim Ramadani, nga Sllupçani, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe.
32.Qerim Hajrullahu nga Mateçi.
33.Sylejman Kastrati nga Karaçeva e Kamenicës.

Nga kjo gjeneratë dolën:

2 doktor të shkencave të mjeksisë.
2 doktor të shkencave filologjike.
2 jurist të diplomuar.
2 magjistra.
1 inxhinier i agronomisë.
1 komercialist.
4 profesorë të profileve të ndryshme shkencore.
6 arsimtarë të mësimit lëndor.
8 mësues të mësimit klasor.
1 punëtor me kualifikime të larta.
3 nxënës nga kjo gjeneratë u shpërngulën për në Turqi.

Sipas mendimit tim, kjo është gjenerata më e shkolluar që e ka mbaruar shkollën tetëvjeçare në Preshevë.

Ishte ky një punim i shkurtër për rrugën nëpër të cilën kaloi arsimi në gjuhën shqipe në Komunën e Preshevës dhe më gjerë për një periudhë 74 vjeçare. Për këto tema ka edhe libra të shkruara, ndërsa qëllimi im ishte ta japë një pasqyrë të shkurtër, të shkollës shqipe, sepse jam dëshmitar i gjallë i të gjitha këtyre ngjarjeve. Unë i takoj gjeneratës së tretë të nxënësve që e kryen tetëvjeçaren në Preshevë në vitin 1954.