Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka zgjatur mbrojtjen e përkohshme për afro shtatë mijë sirianë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përderisa lufta në atdheun e tyre po vazhdon.
Ata ishin mbrojtur nga deportimi nën programin humanitar “Temporary Protected Status”.
Presidenti ka anuluar këtë program për disa vende në muajt e fundit, duke prekur kështu imigrantët nga El Salvadori, Haiti dhe Nicaragua.
Megjithatë, kjo zgjatje nuk vlen për aplikuesit e ri që vijnë nga Siria.
Për sirianët që veçse jetojnë dhe punojnë në SHBA, TPS do të zgjatet edhe për 18 muaj të tjerë.
Ndërsa sirianët që u futën në këtë vend në gusht të vitit 2016, do të përjashtohen nga programi.
E krijuar më 1990, TPS-ja lejon që imigrantët nga vendet që konsiderohen të pasigurta, të jetojnë dhe punojnë legalisht në SHBA.