Marko Gjuriq reagon për dënimin e serbit i cili masakrën e Reçakut e quajti trillim: Ne të gjithë jemi ‘Ivan Todosijeviq’

Marko Gjuriq reagon për dënimin e serbit i cili masakrën e Reçakut e quajti trillim: Ne të gjithë jemi ‘Ivan Todosijeviq’

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se Ivan Todosijeviq sot “zyrtarisht u bë viktimë e aparteidit për shkak të guximit të tij për të thënë të vërtetën dhe shteti i Serbisë do t’i japë atij çdo formë të mbrojtjes kundër persekutimit”.

“Ne të gjithë jemi Ivan Todosijeviq! Ajo që ai tha i shqetëson ata sepse gjendja e tyre e rreme, mbështetet në gënjeshtra dhe fshehje të krimeve, dhe kjo është arsyeja pse ata janë të frikësuar nga çdo zë i së vërtetës”, ka thënë Gjuriq, shkruajnë mediat serbe.

Sipas tij, askush nuk mund ta detyrojë popullin serb të mbyllë sytë me aktvendime gjyqësore.

Ndryshe, ish-ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), Ivan Todosijeviq, është dënuar me dy vjet burg, pasi është shpallur fajtor për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut.

Lidhur me këtë, ai akuzohej për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Sipas akuzës, me datë 24 mars 2019, në rrugën “Kralj Milutin” në Zveçan, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, ndër tjerash kishte thënë se “Masakra e Reçakut ishte trillim” duke shtuar se “janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë”.

Aktgjykimi ndaj tij, është shpallur të enjten nga Gjykata Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Musa Konxheli, ekzekutimi i dënimit me burg, do të bëhet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.