Deputetja e VV’së: Bëjmë marrëveshje me LDK’në, jo për Presidentin

Deputetja e VV’së: Bëjmë marrëveshje me LDK’në, jo për Presidentin

Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës pas bisedimeve për harmonizimin e programit qeverisës në kuadër të grupeve punuese për të cilin janë deklaruar se janë dakorduar 100 për qind, dy partitë nuk po arrijnë të merren vesh në ndarjen e pushtetit për katër vjetët e ardhshme.

Dy krerët e partive, Albin Kurti dhe Isa Mustafa pas takimit të fundit që e patën, nuk arritën marrëveshje për koalicion qeverisës pasi nuk u dakorduan për postin e Presidentit të vendit i cili do të mbetet vakant në shkurt të 2021-ës.

Kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, është deklaruar lidhur me ngecjen e madhe për arritjen e koalicionit për bashkëqeverisje ndërmjet dy partive fituese nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Ajo për Klan Kosova ka bërë të ditur se brenda ditëve pritet të ketë takim mes Kurtit dhe Mustafës, por se VV nuk pranon që në marrëveshje të futet edhe posti i Presidentit.

Haxhiu tha se as VV dhe as LDK nuk duhet të barrikadohen me qëndrimet e tyre, por duhet të jenë fleksibile sepse qytetarët kanë vendosur që Qeveria e ardhshme të formohet nga këto dy subjekte politike.

Ajo po ashtu ka thënë se ekziston mundësia që President të bëhet dikush që nuk është pjesë e VV-së apo LDK-së, por që është person unifikues.