Gjuriq: Fotografinë me Sveçlën e ka bërë PDK-ja, qëllimi i tyre është konflikti i brendshëm politik

Gjuriq: Fotografinë me Sveçlën e ka bërë PDK-ja, qëllimi i tyre është konflikti i brendshëm politik

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka komentuar fotografinë e shumëpërfolur të shkrepur në një lokal në Tiranë, ku në të njëjtën tavolinë ishte i ulur edhe Xhelal Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje.

Gjuriq gjatë një interviste dhënë në televizionin serb TV Prva, ka deklaruar se për fotografinë e shkrepur në Tiranë, qëndron prapa Partia Demokratike e Kosovës.

Gjatë dy ditëve të fundit Marko Gjuriq ka marrë pjesë në një konferencë për bashkëpunim rajonal të organizuar në Tiranë, ku po merrnin pjesë edhe përfaqësuesit tjerë politikë të vendeve të rajonit.

Ndërkaq i pyetur se çfarë mendon për Sveçlën, Gjuriq ka thënë se është ekstrem, por që për dallim nga përfaqësuesit e tjerë politikë nga Kosova ka marrë pjesë në këtë ngjarje të organizuar në Shqipëri.

“Zotëri Sveçla është njëri prej politikanëve me ekstrem shqiptarë, njëri nga bashkëpunëtorët me radikal të Albin Kurtit, njeriu që mbështetet te pavarësia dhe kërkon masa reciprociteti. Megjithatë ai ka marrë pjesë në tryezë”, ka shtuar Gjuriq.

Në anën tjetër, Gjuriq thotë se për dallim nga takimet e mëparshme, në këtë takim nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e PDK-së të cilët Gjuriq i bën fajtorë për publikimin e fotografisë.

“PDK-ja e Thaçit dhe Veselit për dallim nga takimi i mëparshëm që është mbajtur në shtator në Shkup, nuk ka dërguar përfaqësuesin e saj por për çudi në darkë e kishin dërguar dikë që të shkrep fotografinë dhe këtë e kanë shfrytëzuar për konflikt të brendshëm politik me Vetëvendosjen”, ka shtuar Gjuriq.

Ai pretendon se gjatë takimit nuk kanë biseduar për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit e as për qeverinë e ardhshme, por për bashkëpunimin rajonal dhe normalizimin e marrëdhënieve në përgjithësi.

“Mendoj se kam bërë mirë që kam shkuar atje. Në fund të fundit, qytetarët e Serbisë më paguajnë tash e 7 vite e gjysmë që të bisedojë, kam qenë mbi 200 herë në bisedimet me shqiptarët në Bruksel dhe në vende të ndryshme”, tha për fund ai.