Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Kosova në prag të 10 vjetorit të Pavarëissë së Kosovës gjendet në një momentum të ri.
Ai në një konferencë për media ka folur edhe për strategjinë e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Jemi para një situate të re, në prag të 10 vjetorit të Pavarësisë edhe me zhvillimet në rajon. Pas pak ditësh do të prezantohet edhe Strategjia e BE-së për Zgjerim në vendet e Ballkanit Perëndimor”.
“Edhe në takimin e fundit me komisionerin Johannes Hahn në Davos kemi diskutuar për mundësinë e ecjes së Kosovës sa më shpejt që është e mundur”.
“Shpresoj që edhe Kosova me kryerjen e obligime të veta do të përfshihet meritueshëm në mënyrë të qartë në strategjinë që do të prezantohet pas pak ditësh”.
“Kosova ka një të ardhme – të ardhmen evropiane siç kanë qenë këto 10 vjet vite evropiane”.
I pari i vendit ka thënë se Kosova do të ketë edhe sfida të reja duke folur kështu edhe për procesin e liberalizimit të vizave.
“Dua të potencoj se Kosova do të përballet edhe me sfidat e tjera, në veçanti tash kur kemi momentum për vizat. Shpresoj dhe besoj se në të ardhmen e afërt do t’i kryejmë të gjitha obligimet tona karshi BE-së në mënyrë që të ndodhë liberalizimi i vizave”.
“Besoj fuqishëm se strategjia e BE-së për zgjerim do të sjellë qartësi, veprime konkrete edhe për Kosovën edhe për vendet tjera të Ballkanit Perëndimor sepse si askujt tjetër Kosovës i duhet qartësia”.
“Në këtë qartësi të BE-së do të ndihmojë shumë edhe vendimmarrja e institucioneve të Kosovës në ditët dhe javët e ardhshme”.
“Duhet t’i kryejmë detyrat dhe obligimet dhe në të njejtën kohë të krijojmë argument që të lehtësohet liberalizimi i vizave”.
“Sot, në këtë moment të rëndësishëm që po kanë të gjitha vendet e Ballkanit Pernëdimor por edhe Kosova është atmosferë e komunikimit të të gjitha vendeve për të kaluar problemet e së kaluarës për të marrë vendime për të ardhmen”.
“Në Kuvendin e Kosovës shpresoj se do të përmbyllet edhe Demarkacioni, në këtë kohë kur secili shtet po komunikon me secilin vend për t’i zgjidhur problemet e afërta”.
“Shqipëria diskuton me Greqinë për çështjen e detit, Maqedonia me Greqinë për zgjidhjen e çështjes së emrit, edhe vendet tjera me vendet tjera për problemet e tyre”.