Zbulohet historia e Mercedesit që Hitleri i dhuroi Zogut

Zbulohet historia e Mercedesit që Hitleri i dhuroi Zogut

Mercedezi i dhuruar nga Hitleri ishte i vetmi objekt që mbijetoi nga gjithë pasuria personale që ishte marrë me vete nga familja mbretërore, aq sa gjyshja e Geraldinës e shihte atë si një ogur të keq. Nuk ishte e lehtë të udhëtoje në mes të luftës në rrugët e Londrës me një makinë krenare gjermane dhe konsumuese të madhe benzine, që në Anglinë e luftës jepej vetëm me tollon.

Geraldina dhe gjyshja e saj e shitën pa e njoftuar Zogun. Dikush u ofroi një çek për Mercedesin por doli që ai ishte i rremë. Policia arriti ta gjejë në garazhin e një skocezi që e kishte blerë për 800 paund. Zogu u detyrua t’i jepte këto para në dorë pronarit të ri dhe risolli me triumf në garazhin e shtëpisë “Parmoor”, mercedezin e tij. Pak kohë më pas, duke respektuar dëshirën e Geraldinës, ai e fali mercedezin tek Kryqi i Kuq.

Mercedezi përfundoi në ankand dy vite më vonë dhe u shit për 3 250 sterlina. Makina ndodhet sot në një koleksion privat dhe vlerësohet me një vlerë të konsiderueshme, e denjë për koleksionistë makinash të rralla.

*Marrë nga statusi në facebook i studiuesit Erald Kapri, i cili e shoqëron me shënimin: Pjesëz nga libri që pritet të botohet së shpejti.