Po kërkojnë rritjen e pagave. E valles së grevës së kirurgëve pritet që t’i bashkohen edhe disa klinika të tjera në QKUK. Tashmë në grevë kanë hyrë edhe kirurgët e Spitalit Regjional të Mitrovicës, ndërkohë që pritet që punën pjesërisht ta pezullojnë edhe Kirurgët e Fëmijëve në QKU nëse Ministria e Shëndetësisë nuk ua rritë pagat. Por nga Qeveria thonë se kërkesat e tyre zor se do të realizohen deri në muajin qershor.
Kirurgët e Klinikës Abdominale në QKUK kanë hyrë në ditën e katërt të grevës përmes së cilës po synojnë rritjen e pagave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Udhëheqës së Klinikës i kanë thënë Expressit se kërkesat e tyre janë të arsyeshme dhe se nuk do të heqin dorë derisa MSH t’i realizojë ato.
Drejtori i kësaj klinike, Rifat Bajrami, i ka thënë gazetës se është jo e drejtë që mjekët të paguhen me vetëm 600 euro në muaj me gjithë punën që e bëjnë.
Sipas tij, kirurgët po kërkojnë që paga e tyre të jetë e dinjitetshme dhe rrjedhimisht të paguhet puna e vështirë që kanë.
“Qëllimi i grevës është vetëm rritja e të ardhurave personale të kirurgëve. Ne do të vazhdojmë me tonën, ministria me të veten. Ne kishim edhe takim me ministrin, tash të shohim”, tha Bajrami.
Megjithëkëtë, mendjen mjekëve nuk ka arritur që t’ia ndryshojë as ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili. Edhe pse ai të hënën në ditën e parë të grevës kishte tentuar që përgjatë tri orëve të takimit me ta bëjë këtë.
Por kirurgët shprehen të bindur që deri në realizimin kërkesës për rritjen e pagës në koeficientin 11 nuk do të ndalen.
E ndërkohë edhe kirurgët e Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës nga sot i janë bashkangjitur grevës së kolegëve të tyre nga QKUK në Prishtinë. Ata përmes një vendimi unanim nga reparti abdominal dhe kirurgjia e përgjithshme në këtë spital kanë pezulluar përkohësisht punën.
“Kolegjiumi i repartit të Kirurgjisë së Përgjithshme në Spitalin Rajonal Mitrovicë pas diskutimit për gjendjen e vështirë, kemi vendosur unanimisht të ju bashkëngjitemi grevës”, thuhet në vendim.
E kërkesat e tyre janë më të mëdha sesa ato të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë. Derisa sindikalistët kanë kërkuar rritjen e pagave me koeficient 8, mjekët e Mitrovicës po kërkojnë koeficientin 11.
Ata kanë paralajmëruar kryeministrin, ministrin e Shëndetësisë, drejtorin e SHSKUK-së dhe atë të Spitalit të Përgjithshëm dhe Odën e Mjekëve.
“Ne të poshtëshënuarit unanimisht kemi vendosur në shenjë reagimi intelektual dhe protestë të ju paralajmërojmë se sipas ligjit do të pësojë ndërprerja e plotë e punës dhe për këtë nuk mbajmë kurrfarë përgjegjësie, në rast se nuk plotësohet kërkesa jonë brenda 14 ditësh”, thuhet në këtë vendim.
Ndërkohë nëse MSH nuk i rritë pagat, në grevë planifikojnë që të hyjnë edhe kirurgët e fëmijëve në QKUK. kështu i ka thënë Expressit, drejtori i kësaj Klinike, Nexhmi Hyseni.
Thotë kërkesat për rritje pagash janë të arsyeshme dhe se nëse nuk realizohet një gjë e tillë edhe kolegët tjerë kirurgë do t’i bashkëngjiten kirurgjisë abdominale.
“Kirurgët abdominal kanë hyrë në grevë dhe mendoj se është e arsyeshme, pasi që pagat janë nënçmuese. Kërkesat janë të arsyeshme dhe mendoj se ditët e ardhshme edhe kolegët tjerë do të na bashkëngjiten. Ne po kërkojmë atë që na takon. Përgjegjësia është tepër e madhe në punë dhe paguhet shumë pak. Ajo duhet të shpërblehet për aq sa ka vlerë”, tha Hyseni.
“Kirurgjia pediatrike ka dy salla operative dhe bëhen deri në 10 operacione gjatë ditës. Deri në 2 mijë operacione të planifikuara bëhen për një vit, duke mos përfshirë rastet emergjente”, shtoi tutje Hyseni.
Pavarësisht kësaj, gjatë ditës së sotme menaxhmenti i SHSKUK-së dhe drejtorët e klinikave bashkëme ministrin Uran Ismaili janë takuar me kryeministrin Ramush Haradinaj në zyrën e këtij të fundit.
Kryeministri është zotuar se pagat e mjekëve do të rriten nga muaji qershor, ndërsa grevat që po mbahen nga kirurgët në QKUK dhe Spitalin e Mitrovicës i ka quajtur të paarsyeshme.
Ndryshe, të gjithë mjekët specialistë në institucionet publike shëndetësore, pavarësisht në çfarë fushe punojnë, paguhen njësoj, përkatësisht me një pagë prej rreth 600 euro në muaj. Kjo vlen edhe për infermierët, të cilët paguhen nga rreth 400 euro në muaj.
Sindikalistët e shëndetësisë thonë se kanë kërkuar që mjekët specialistë të radhiten në koeficientin 8, e cila do t’u siguronte atyre një pozitë më të dinjitetshme dhe rrjedhimisht paga më të mira.
Si në shumë fusha tjera, edhe sektori i shëndetësisë “vuan” nga mosdefinimi i kategorizimit të pagave dhe si rrjedhojë e kësaj gjendjeje, mjekët kanë deklaruar se nuk është korrekte që pagat e mjekëve të jenë lineare.