Sami Salihu dhe Branko Trajkoviq 400 euro orën e punës!

Sami Salihu dhe Branko Trajkoviq 400 euro orën e punës!

Nënkryetari i PDSH-së z. Ilir Sadriu gjatë konferencës së mbajtur gjatë ditës së sotme lidhur me zhvillimet që u karakterizuan me punën e pushtetit lokal, drejtoi një mori kritikash dhe akuzash në drejtim të qeverisjes lokale. Përmes kësaj konference nënkryetari i PDSH akuzoi kryetarin e Komunës së Preshevës për ngritjen e procedurave gjyqësore ndaj këshilltarit nga radhët e PDSH-së Shpat Aliu, ku publikoi edhe aktgjykimin nga Gjyqi themelor në Bujanoc.

Këto ditë nga gjykata themelore e Bujanocit kemi pranuar një aktgjykim, nga padia gjyqësore që është bërë nga Kryetari i Komunës së Preshevës ndaj këshilltarit dhe anëtarit të kryesisë së Partisë Demokratike Shqiptare Shpat Aliu, i cili kishte demaskuar kryetarin e komunës së Preshevës në seancën e shqyrtimit dhe miratimit të buxhetit të vitit 2019.

Kjo praktikë e paraqitjeve në gjyqet serbe po ndodh për herë të parë në komunën e Preshevës edhe atë nga një kryetar komune e kryetar i një partie të kontaminuar dhe të dështuar politike , ku dështimet e tij tenton ti mbroj me gjykata serbe.

Partia Demokratike Shqiptare i dënon fuqishëm këto ndjekje që po i bëhen jo vetëm këshilltarëve por edhe qytetarëve tjerë të komunës së Preshevës , me të vetmin qëllim që diktatori provincial të shpëtoj nga llogaridhënia dhe mashtrimi që u bëri e po i bën qytetarëve të komunës së Preshevës. 

Në konferencë pati akuza edhe ndaj kryetarit të Kuvendit Komunal Sami Salihu bashkë me zëvendësin e tij nga lista serbe Branko Trajkoviq, ku ndër të tjera thuhet:

Të gjitha këto veprime diktatori provincial po i ndërmerr falë ndihmës dhe mbështetjes që po i jipet nga Kryetari i Kuvendit Komunal i cili është verbuar nga vetknaqësia dhe totalisht i nënshtruar e madje ndoshta mund të jetë edhe i shantazhuar nga ky regjim totalitar lokal, që po toleron të ndodhë kjo katandisje e pushtetit lokal.

Nuk mund të mos reagojmë nga Kjo pandjesi e qëllimshme e Kryetarit të Kuvendit i cili po bën sehir para qytetarëve të Komunës , sikur po mendon që nuk është përgjegjes i situatave të këtilla bashkë me zëvendësin e tij nga lista serbe, ndërsa po harrojnë që bashkë me grupet e tyre janë shëndrruar në trinom të së keqës së këtij pushteti.

Ky kryetar Kuvendi bashkë me zvëndësin e tij nga lista serbe përveç tjerash Komunës së Preshevës po i sjellin kosto mjaft të larta mujore për pagat e tyre ndërsa gjatë vitit kalendarik që po e lëjmë organizuan vetëm VI seanca, ndërsa paga mujore netto e tyre sillet rreth 70.000 dinarëve ,bruto rreth 112.000 dinarëve rreth 1 mijë euro. 

Pra për 12 muaj kryetari i Kuvendit bashkë me zëvendësin e tij marrin rreth 12.000 euro nga taksapaguesit e qytetit, ndërsa kanë organizuar vetëm VI seanca gjatë vitit, e të cilat nuk kanë zgjatur më shumë se 5 orë, ku nëse i zbërthejmë këto të ardhura dhe angazhimin që e kanë pasur në punën e tyre i bie që ora e punës së tyre gjatë këtyre gjashtë ditëve të punës të ketë qëne nga 400 euro.

Pra 12.000euro/6ditë=2.000 i pjesëtojmë me 5 orë del se ora e punës është paguar 400 euro, pa i llogaritur edhe shpenzimet që bëjnë gjatë udhëtimeve me automjetet e komunës dhe reprezentacionit gjatë këtyre udhëtimeve, prandaj ky mund të jetë verbimi i tyre dhe vazhdimi i përkrahjes së të keqës.

Trinomi i së keqës që po e përbën shumicën e pushtetit lokal i përbërë nga APN, grupi qytetar dhe lista serbe edhe këtë vit po e përmbyllin të dështuar dhe pa asnjë rezultat të cilin e kishin planifikuar në planin investiv dhe menaxhimin me institucione të pushtetit lokal, ndërsa angazhime personale kanë pasur vetëm në sferat e tyre të interesit.