Në një dalje për mediat, kreu i Policisë së Tiranës, Ardi Veliu ka bërë me dije se është zbardhur ngjarja e ndodhur pak ditë më parë në kryeqytet ku mbeti i vrarë Devi Kasmi.
Veliu tha se në pranga janë 5 persona, ndërsa në kërkim është shpallur edhe një person tjetër.
Për hetuesit e policisë së Tiranës, vrasja e Kasmit është bërë nga një grup i strukturuar kriminal, ku për të kryer vrasjen ishte ngarkuar një shtetas grek, ish-pjesë forcave speciale në Greqi. Nga hetimet ka rezultuar se (Altin) Aurel Hoxhallari, ishte organizatori i këtij grupi të strukturuar kriminal, i cili ende nuk është arrestuar.
Elton Halipaj ka siguruar mjetet e nevojshme për kryerjen e krimit, ndërsa greku Efthymiou Efthymious, ishte në rolin e ekzekutorit si vrasës me pagesë.
Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën me vete një sasi e konsiderueshme eurosh dhe parash shqiptare, që dyshohet se i ka përfituar si shpërblim për vrasjen.
Efthymiou kishte punuar nga viti 1992 deri në vitin 2012 si efektiv i forcave speciale në Greqi, por ishte larguar nga detyra pas dyshimeve se ishte përfshirë në trafik droge.
Malvin Dinellari ka siguruar mjetet dhe përgatitur infrastrukturën për realizimin e vrasjes si dhe Elton Hoxhallari dyshohet si bashkëpuntor në sigurimin e mjeteve dhe përgatitjen e infrastukturës për realizimin e vrasjes.
Por, ajo që ka lënë të befasuar policinë e Tiranës kanë qenë municionet që ky grup kishte në dispozicion.
Si rezultat i kontrolleve të kryera në një vilë që përdorej si bazë, është gjetur një arsenal armësh, municionesh, eksplozivësh, raketa hedhës, armë të precizionit të lartë, minë me telekomandë, dylbi, radio ndërlidhje (si ato të policisë), të cilat funksiononin në grup, maska, veshje kamoflazhi, etj.
Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar 2 pistoleta, njëra prej tyre e dyshuar si arma e krimit, 4 armë automatikë, 2 snajper, 4 pushkë automatike, 1 armë antitank me 2 predha, 1 bombë me telekomandim në distancë, sasi e konsiderueshme lënde eksplozive C4 dhe tritol, 4 radio marrëse, 1 dron, 110 kg kanabis dhe 2 maska.
Ky është grupi më i sofistikuar dhe armatime më të mëdha të arrestuar deri tani në Tiranë.