Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka takuar Eurodeputetët Viktor Bostinaru dhe Tanja Fajon, nënkryetar të grupit socialdemokrat në parlamentin evropian, si dhe Tonino Picula, raportues në hije për Maqedoninë në Parlamentin Evropian.
Ahmeti dhe tre Eurodeputet, siç citohet në njoftimin zyrtar, kanë diskutuar shumë hapur dhe miqësisht për çështje të interesit të ndërsjellë, integrimin Euroatlantik, fqinjësinë e mirë dhe reformat.
Grupi socialdemokratik në parlamentin evropian është shprehur në përkrahje të plotë të agjendës së shumicës parlamentare dhe qeverisë reformuese duke u vënë tërësisht në dispozicion për ta ndihmuar Maqedoninë dhe rajonin.
Ahmeti mirëpriti gatishmërinë e Eurodeputetëve dhe tha që muajt para nesh janë vendimtar, jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për rajonin.
Ahmeti siguroi mysafirët që guximi tek ne nuk do të mungojë dhe përsëriti që zgjidhja të arrihet sa më shpejt me ratifikim të marrëveshjes së arritur për emrin në parlament, ndërsa referendumi eventual mund ta komplikojë procesin.
Kompromisi për kontestin e emrit duhet të arrihet tani duke respektuar veçoritë e palëve dhe duke menduar për të ardhmen e përbashkët në familjen Euroatlantike.
Ahmeti siguroi mysafirët që zbatimi i reformave sistemore në vend nuk do të ndalet dhe shprehu bindjen që edhe opozita do të marrë pjesë në këtë proces për të mirën e qytetarëve.