Në rekapitulim të vitit 2019 që po e lëmë pas patjetër duhet të theksojmë se e kaluam edhe një vit të vështirë përplot me probleme ekzistenciale me të cilat po ballafaqohet Lugina e Preshevës.
Mjerisht edhe në këtë vit vazhdoi degradimi dhe stërkeqja e pushtetit lokal në Preshevë, të cilët paralel me diskriminimin shtetëror po e mundësojnë që në mënyrë të heshtur të vazhdojë pastrimi etnik në Luginë të Preshevës i filluar në kushte të luftës në Medvegjë, në Malësi të Bujanocit dhe në Karadakun e Preshevës.
Natyrisht është e domosdoshme të theksohet se edhe në këtë vit që po e përfundojmë pushteti qëndror në Serbi nuk tregoi gadishmëri politike për t’i përfshirë dhe integruar shqiptarët në institucionet shtetërore si dhe në strukturat ekzekutive.
Në këto rrethana të diskriminimit dhe degradimit total të pozitës së shiptarëve të Luginës së Preshevës po hyjmë në vitin e ri 2020 me shpresë se do të gjejmë forcë, për kthesën vendimtare që mund ta bëjmë të gjithë së bashku.
Jam e bindur se qeveria që do të formohet në Kosovë do të ketë forcë të ballafaqohet me problemet e rënda ekonomike dhe do të arrijë e konsoliduar të vazhdojë dialogun me Serbinë, çështjen e shqiptarëve të Luginës ta vendos në prioritet dhe të jetë pjesë e dialogut. Të respektohet vullneti i popullatës shqiptare i shprehur me referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992.
Gjithashtu, vëmendje të posaçme presim edhe nga Tirana zyrtare, që në takimet me përfaqësuesit e Beogradit zyrtar të shtrohet çështja dhe diskriminimi permanent i Shqiptarëve në Serbi dhe zgjidhja e problemeve të tyre të rënda jetësore.
Mirëpo, megjithatë kthesën vendimtare dhe shpëtimin nga gjendja katastrofale mund ta bëjnë në rradhë të parë forcat e mirëfillta politike të Luginës së Preshevës. Në këtë drejtim njësoj si para 29 viteve kur u themelua PVD për t’u ballafaquar me terrorin e regjimit të atëhershëm, edhe në këtë gjendje, që është njësoj shumë e rëndë dhe komplekse, PVD është e gatshme t’i ofrojë bashkëpunim të mirëfilltë të gjitha subjekteve që kanë vullnet dhe gadishmëri por t’u ballafaquar me sfidat aktuale ekzistenciale dhe ruajtjen e substancës kombëtare.
Në këtë drejtim PVD në vitin e ri 2020 do t’i bëjë të gjitha përgaditjet gjithëpërfshirëse që do të mundësojnë kthesën, shpëtimin dhe daljen nga kriza e rëndë dhe degradimi total, në të cilën aktualisht gjendet Lugina e Preshevës.
Pjesë e rëndësishme e këtyre përgaditjeve do të jenë edhe zgjedhjet në Forumin Rinor dhe Forumin e Gruas, brenda PVD – së në të gjitha nivelet. Në këtë proces zgjedhor, njësoj si para 29 viteve, dyert e PVD – së janë të hapura në kushte të barabarta për të gjithë veprimtarët që munden dhe dojnë të kontribojnë për Luginën e Preshevës.
Ne fund Ju uroj Vitin e Ri 2020 duke Ju dëshiruar shëndet të mirë, suksese, paqe, dashuri dhe mbarësi në realizimin e planeve, projekteve personale dhe aspiratave kombëtare.
Ardita SINANI
Kryetare e degës së PVD–së, Preshevë