Lëvizja Vetëvendosje nuk ka më të drejtë që t’i përzihet Lidhjes Demokratike të Kosovës për emrin e presidentit në rast të arritjes së një marrëveshje potenciale për koalicion. Kështu thotë ish-anëtari i kësaj partie që drejtohet nga Kurti, Xhavit Drenori. Sipas tij më zgjedhjen e Konjufcës në krye të Kuvendit, po ndiqet modeli gjerman sipas të cilit kryeministri dhe Kryeparlamentari i takojnë partisë që i ka fituar zgjedhjet.
Afati kushtetues prej 15 ditësh për të formuar qeverinë do të fillojë të hënën kur edhe pritet që Albin Kurti të mandatohet për Kryeministër nga Presidenti Thaçi në takimin e paralajmëruar mes tyre më 6 janar.
Ish-anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhavit Drenori ka folur për Gazetën Express lidhur me koalicionin VV-LDK dhe mundësitë e ndarjes së pushtetit tash pas situatës së re të krijuar dhe zgjedhjes së Glauk Konjufcës kryetar të Kuvendit.
Drenori ka deklaruar se vizita e fundit e deputetëve gjermanë në Prishtinë ka “ndikuar” që modeli i Gjermanisë për ndarjen e pushteteve të vihet në pah ku fituesi merr Kryeministrin dhe Kryeparlamentarit.
“Me gjasë me “ndikimin” ose jo të deputetëve të Bundestagut, për ndarjen e pozitave kryesore, Presidentit, Kryeministrit dhe Kryepalamentarit, është ndjekur modeli i Gjermanisë i ndarjes së pushteteve (për pozitat kryesore). Pra, Kryeministri dhe Kryeparlamentari i takojnë partisë fituese, ndërsa partia e renditur e dyta në zgjedhje merr Presidentin”, ka thënë Drenori.
Ish-anëtari i VV-së është shprehur se përzgjedhja e Kryeparlamentarit nga ana e VV-së është presioni i fundit ndaj LDK-së se a do të hyjë në koalicion apo jo.
“Ky hap i një anshëm i LVV-së për përzgjedhjen e Kryeparlamentarit ka shkuar edhe një hap përpara për definimin përfundimtar për koalicion ose zgjedhje të reja, pra unë e shoh si një presion i fundit ndaj LDK-së për përcaktim definitiv se a do te hyjë në koalicion me LVV-në apo jo”, u shpreh Drenori.
Ish-anëtari i Vetëvendosjes tha se “LVV-ja tash nuk do të ketë as të drejtë “përzierje” për emrin e kandidatit për President të propozuar nga LDK-ja”.