• E mërkurë / Jul-09 21:56
  • Kontakt

Vazhdojnë përplasjet VV-LDK, Gecaj i përgjigjet Zogianit: Edhe të shanë edhe kërkon bashkëpunim

Vazhdojnë përplasjet VV-LDK, Gecaj i përgjigjet Zogianit: Edhe të shanë edhe kërkon bashkëpunim

Po vazhdojnë përplasjet mes zyrtarëve të LDK-së dhe Vetëvendosjes, që përmes postimeve në Facebook, po e akuzojnë njëra tjetrën për të kaluarën, si dhe për mosarritjen e deritashme të marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Më herët gjatë ditës, ish-kandidati i VV-së për deputet, dhe njëherit zyrtar i kësaj partie, akuzonte LDK-në për “lazdrim” dhe korrupsion bashkë me partitë tjera, shkruan lajmi.net.

“LDK-ja u lazdrue qysh kur ne si shoqni provuem me e mbylle njenin sy per korrupsionin e saj te perbashket me partite tjera, dhe deshtem me besue se eshte parti e ndryshimit!”, kishte shkruar Avni Zogiani.

E ndaj kësaj deklarate ka reaguar anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Bajram Gecaj.

Përmes një postimi tjetër në Facebook, ai ka pyetur se si mund të kuptohet fakti që Vetëvendosja edhe po shanë, edhe po kërkon bashkëpunim, duke iu referuar postimit të lartëshënuar të Gecajt.

“:Sinqerisht kam problem serioze me të kuptuarit: edhe të shanë dhe të kërkon bashkëpunim! “LDK-ja u lazdrue qysh kur ne si shoqni provuem me e mbylle njenin sy per korrupsionin e saj te perbashket me partite tjera, dhe deshtem me besue se eshte parti e ndryshimit!”, ka shkruar Avni Zogiani”, është përgjigjur Gecaj.

E këto nuk janë përplasjet e para, mirëpo as të fundit mes zyrtarëve të LDK-së e VV-së,  subjekte këto që po tentojnë koalicionin për bashkëqeverisje.

Të tilla përplasje janë shpeshtuar kohëve të fundit, kur janë bërë më shumë se tre muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve në vend, por që këto dy parti nuk po arrijnë assesi ta gjejnë gjuhën e përbashkët për ndarjen e posteve.