Për më pak se një muaj, udhëheqësit e koalicioni AAK-PSD japin dorëheqje si kryetarë të partive

Për më pak se një muaj, udhëheqësit e koalicioni AAK-PSD japin dorëheqje si kryetarë të partive

Udhëheqësit e koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj dhe Shpend Ahmeti për më pak se një muaj,  kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre si kryetarë të subjekteve politike të cilat i përfaqësojnë.

Kryeministri në largim i Kosovës, i cili dha dorëheqje nga ky post vitin e kaluar, Ramush Haradinaj, njëherësh edhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sot ka dhënë dorëheqje edhe nga pozita tjetër që mbanë, për të cilin thotë se tashmë kryen vetëm funksionet në dorëheqje që i kanë deri në zgjedhjet brenda partisë.

Duke mos e bërë të ditur se a do të konkurrojë, Haradinaj e ka vlerësuar si sfiduese dhe mjaft të vështirë garën për kryetar të ri të partisë së tij.

“100 anëtarë të Këshillit Drejtues përfshirë edhe mua e marrin votën për kryetar cilido që e merr një votë më shumë bëhet kryetar i partisë, ose i degës. Është një garë më sfiduesja e mundshmja, është e ngjashme si për asamble por edhe bartësi i listës është në vote”, ka përfunduar Haradinaj.

Në anën tjetër, Shpend Ahmeti, i cili më 15 dhjetor dha dorëheqje nga posti i kryetarit të subjektit që po e drejtonte, kishte pranuar se arsyeja e dorëheqjes së tij ishte rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme të 6 tetorit, e që përgjegjësia më e madhe për dështimin në zgjedhje të kësaj partie, është e tij, si kryetar i partisë.

“Meqenëse tani kanë kaluar më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve të 6 tetorit, kemi pas kohë si Parti Socialdemokrate që të vlerësojmë rezultatin zgjedhor dhe arsyet për rezultatin zgjedhor. Gjatë kësaj periudhe kemi diskutuar në kryesi disa herë. Përderisa janë diskutuar arsye të ndryshme, ka qenë një emërues i përbashkët i analizës, e ajo ka qenë që nuk drejtojmë gishta te asnjëri individualisht sepse të gjithë kemi pas përgjegjësi për vendimet e marra e për të cilat besojmë se kanë qenë të arsyeshme e të drejta”, kishte thënë ai përmes një postimi në Facebook.

Kujtojmë se Koalicioni AAK-PSD ka dalë partia e katërt më e votuar në zgjedhjet e 6 tetorit, pas Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Ky koalicion ka arritur që në Kuvendin e Kosovës të përfaqësohet nga 14 deputetë.