Kryesia e PVD-së vlerëson lartë unifikimin e partive shqiptare nga Lugina

Nëpërmjet një kumtese, kryesia e Partisë për Veprim Demokratik, e ka vlerësuar lartë marrëveshjen e partive politike të arritur dje në Tiranë.

“Kryesia e përgjithshme e Partisë për Veprim Demokratik, në mbledhjen e mbajtur sonte, pas shqyrtimit të hollsishëm të marrëveshjes së nënshkruar dje në Tiranë nga kryetari Shaip Kamberi, aprovoi në tërësi marrëveshjen dhe iniciativën për unifikim të spektrit politik shqiptar me qëllim të fuqizimit të shqiptarëve në përfaqësim në institucionet qëndrore” – thuhet ndër të tjera në kumtesën e publikuar në faqen zyrtare të PVD-së.

“Kryesia e PVD-së përshëndet angazhimin e Tiranës zyrtare dhe Ministrit Cakaj në arritjen e kësaj marrëveshje dhe vlerëson si shumë të rëndësishme përkrahjen që po vjen nga përfaqësuesit më të lartë shtetëror e politik nga Shqipëria dhe Kosova” – thuhet në kumtesën e PVD-së.

“Vetëm përkrahja e drejtëpërdrejtë nga institucionet e dy shteteve amë bashkë me fuqizimin politik të shqiptarëve mund të japin shpresë në zgjidhjen e problemeve shumëvjeçare dhe në arritjen e objektivave politike të shqiptarëve në Luginë të Preshevës” – përfundon kumtesa e PVD-së.

Kujtojmë se, gjatë ditës së djeshme, përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës, kanë nënshkruar marrëveshjen për listë të përbashkët për zgjedhje parlamentare në Serbi.