Sa kohë mori formimi i qeverive ndër vite, a do ta thyejnë rekordin Kurti e Mustafa?

Sa kohë mori formimi i qeverive ndër vite, a do ta thyejnë rekordin Kurti e Mustafa?

Në kohën kur do të duhej që të bëheshin analiza e vlerësime  për 100-ditëshin e qeverisjes në Republikën e Kosovës, po bëhen  parashikime rreth të mundësisë për formimin e koalicionit qeverisë mes  dy partive që dolën të parat në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura  më 6 tetor të vitit të kaluar.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, partitë  që dolën të parat, kishin filluar të harmonizojnë programin qeverisës  menjëherë pasi u mbajtën zgjedhjet. Por, edhe pse kanë kaluar tashmë më  shumë se tre muaj nga përfundimi i zgjedhjeve ato nuk kanë arritur të  finalizojnë marrëveshjen për koalicion, gjë e cila do të mundësonte  formimin e menjëhershëm të institucioneve qendrore të Republikës së  Kosovës.

Vonesa për formimin e institucioneve në Kosovë, kishte pothuajse secilën herë që u mbajtën zgjedhjet parlamentare.

Kjo është e shtata herë që nga përfundimi i luftës së vitit  1999, që mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë, kurse, e vetmja qeveri  e cila u formua në më pak se 41 ditë, ishe ajo e vitit 2004, ku partia  fituese ishte LDK-ja me 45.42 për qind, kur bëri koalicion me AAK-në e  kryeministër u zgjodh Ramush Haradinajn.

Rekordin për kohën më të gjatë që mori formimi i qeverisë e  mbanë qeveria e vitit 2014,  kur marrëveshja e koalicionit, e cila u bë  mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, i  dha Isa Mustafës postin e kryeministrit.

Nga zgjedhjet e mbajtura më 6 tetor e deri më sot, janë bërë tashmë 104 ditë.

Në një prononcim për Telegrafin, analisti, Fitim Salihu tha se  vonesa në formimin e institucioneve qendrore do të ketë ndikim  fillimisht shoqëror, pastaj do të ndikoj edhe në financa e po ashtu do  të ndikoj edhe në mbarëvajtjen e proceseve të rëndësishme për Kosovën.

 “Ndikimi i parë do të jetë shoqëror. Me prolongimin e krijimit  të koalicionit, dy partitë politike po e neglizhojnë urgjencën e  ndryshimeve, siç i kishin premtuar gjatë fushatës zgjedhore. Kësisoj,  ata po e ngulfasin entuziazmin qytetar që ka ekzistuar gjer së voni. Së  dyti, kjo mund të ketë hipotetikisht kosto makrofinanciare sepse po i  afrohemi afatit për miratimin e buxhetit. Edhe pse partitë politike janë  zotuar se do e votojnë buxhetin, prapëseprapë ngel shqetësimi rreth  tij. E, së treti, kjo do të ketë kosto politike sepse Kosova ka nevojë  urgjente për një qeveri të re që do kishte legjitimitetin për të  përballuat çështjet e mëdha që na presin – që nga Gjykata Speciale dhe  finalizimi i negociatave me Serbinë, gjer tek liberalizimi i vizave dhe  lufta kundër korrupsionit”, tha Salihu për Telegrafin.

Vonesat në formimin e qeverive gjatë zgjedhjeve të mëhershme  kishin pasur ndikim në mënyrë të ndryshme, përveç asaj të vitit 2001,  kur Kosova ishte nën mbikëqyrjen misionit të UNMIK-ut, ku nuk kishte  ndikim në financa, ashtu siç mund të ketë tani nëse nuk formohet qeveria  para 31 marsit.

“Gjersa në vitin 2001 pothuajse të gjitha kompetencat ishin në  duar të UNMIK-ut dhe kjo vonesë, pos kostos politike, nuk ndikonte në  mbarëvajtjen makrofinaciare të vendit, pas vitit 2014 Kosova i ka  vuajtur pasojat e asaj krize institucionale. Për shembull, nëse shikojmë  investimet e huaja direkte mund ta shquajmë një rënie të tyre në vitin  kur Kosova e pati atë krizë”, u shpreh Salihu.

Salihu thotë se asnjëherë më parë nuk kemi qenë në një situatë  të tillë, kur partitë politike të pajtohen për koalicion, t’i kenë edhe  numrat në Parlament të cilat i mundësojnë formimin e qeverisë, por që  prapë nuk e bëjnë marrëveshjen.

“Arsyet e vonesave ndër vite kanë qenë të llojllojshme. Për  shembull, derisa pas zgjedhjeve të vitit 2001 arsyeja ka qenë tek  refuzimi i LDK-së për t’ia ofruar pozitën e kryeministrit Hashim Thaçit  (ndonëse jo PDK-së), në vitin 2014 pati ndodhur bllokada e famshme  institucionale kur partitë e bllokut VLAN refuzonin të futeshin në  koalicion me partinë fituese, PDK-në. Pra, jo çdo herë arsyet kanë qenë  të njëjtat. Por, asnjëherë nuk ka ndodhur sikur tani që dy parti të  pajtohen për t’u bashkuar në koalicion, t’i kenë numrat në Parlament për  ta votuar qeverinë dhe sërish të mos e krijojnë atë”, tha Salihu.

Megjithatë, Salihu vazhdon të jetë optimist se marrëveshja e  koalicionit do të bëhet, pasi ai mendon se të dyja partitë kanë qenë të  gatshme për kompromis dhe se të dyja këto parti, si LVV-ja ashtu edhe  LDK-ja do t’i bëjnë kompromiset në atë formë sa të hapte rrugë për  formim të institucioneve dhe të mos dilte e dobët para elektoratit.

“Unë vazhdoj të jem prore optimist. Ndonëse komunikimin mes  tyre po e dominon virulenca mediatike, në fakt, që të dy partitë kanë  dhënë shenja se janë të gatshme për kompromis. Psh kur është dukur më së  paku e gjasshme që VV-ja të hiqte dorë nga Presidenti, në ofertën e  fundit ajo ia garantoi këtë pozitë LDK-së. Njëlloj, kur është dukur  sikur LDK-ja është barikaduar prapa kërkesës që t’i ketë dy pozitat  kryesore shtetërore – edhe Presidentin edhe kryeparlamentarin – ajo u  shfaq e gatshme që ta ketë vetëm njërin syresh. Për rrjedhojë, këto janë  shenja të qarta se dy palët mbase do të bëhen konstruktive, do të  tërhiqen paksa prej pozicioneve të tyre të ngurta dhe do ta finalizojnë  marrëveshjen e koalicionit. Besoj dhe mendoj se që të dy partitë do t’i  bëjnë kompromiset e nevojshme. Secila nga to do të tërhiqet mjaftueshëm  sa të hapte udhë për zgjidhje dhe mjaftueshëm sa për të mos dalur si e  dobët në sytë e elektoratit të vet”, u shpreh Salihu. 

Salihu ka treguar kohën e cila u është dashur partive politike  për të formuar qeveritë ndër vite, të dhënat e të cilave i gjeni më  poshtë:

Vonesat në themelimin e qeverive kosovare. Matjet i kam bërë prej ditës së zgjedhjeve gjer në ditën e votimit të qeverisë.

Sot bëhen 103 ditë nga zgjedhjet e fundit dhe akoma nuk kemi  qeveri, kështu që qeveria e ardhshme VV-LDK – nëse do të zgjidhet  ndonjëherë — do të jetë qeveria më e vonshme pas asaj të vitit 2014.

– 2001: 17 nëntor-4 mars — 106 ditë

– 2004: 24 tetor-3 dhjetor — 39 ditë

– 2007: 17 nëntor-9 janar — 52 ditë

– 2010: 12 dhjetor-22 shkurt — 72 ditë

– 2014: 8 qershor-9 dhjetor — 183 ditë

– 2017: 11 qershor-9 shtator — 89 ditë

– 2019: 6 tetor-17 janar — 104 ditë