Osmani kujton Rugovën: Le të mësojmë prej urtësisë së tij në këto ditë të vështira për vendin

Osmani kujton Rugovën: Le të mësojmë prej urtësisë së tij në këto ditë të vështira për vendin

Nënkryetarja  e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar presidentin  historik, Ibrahim Rugova, me rastin e 14 vjetorit të vdekjes së tij.

Osmani ka thënë se në 14 vjetorin e vdekjes  së udhëheqësit dhe themeluesit të Kosovës së pavarur e moderne,  Presidentit Ibrahim Rugova, më shumë se kurrë kemi nevojë të mësojmë  prej urtësisë së tij politike, së pari, për të ndërtuar ura të  brendshme, dhe pastaj, për t’i mirëmbajtë dhe riparuar urat me miqtë  tanë ndërkombëtarë.

Osmani tutje ka thënë se vlerat e veprimtarisë së Presidentit  historik janë të domosdoshme, sidomos në këto ditë të vështira, kur  vendi ynë është para vendimeve të rëndësishme politike, që lidhen me  zhvillimet e brendshme dhe të jashtme.

Postimi i plotë:

Në katërmbëdhjetë vjetorin e vdekjes së udhëheqësit dhe themeluesit  të Kosovës së pavarur e moderne, Presidentit Ibrahim Rugova, më shumë se  kurrë kemi nevojë të mësojmë prej urtësisë së tij politike, së pari,  për të ndërtuar ura të brendshme, dhe pastaj, për t’i mirëmbajtë dhe  riparuar urat me miqtë tanë ndërkombëtarë.

Rugova, sa qe gjallë, na ka mësuar se me miq mund të sendërtohet çdo  aspiratë, kurse pa ta, e ardhmja e vendit tonë është e mjegullt. Po  ashtu, Rugova na ka lënë testamentin e përhershëm të nevojës për  bashkëpunim të brendshëm pa të cilin nuk mund të konsolidojmë shtetin  tonë, si dhe domosdonë që te përcjellim rrugën e vullnetin që qytetarët  tanë të urtë e të durueshëm e trasojnë për ne, nëpërmjet votës së tyre.

E sot, vlerat e veprimtarisë së Presidentit historik janë të  domosdoshme, sidomos në këto ditë të vështira, kur vendi ynë është para  vendimeve të rëndësishme politike, që lidhen me zhvillimet e brendshme  dhe të jashtme. Në këto ditë të acarta, figura e urtë e tij, na ndihmon  që të tejkalojmë vetveten dhe mosdurimin për njëri-tjetrin, drejt  bashkimit për interesat e përgjithshme të vendit dhe në respekt të plotë  të vullnetit qytetar.

I përhershëm kujtimi për Presidentin dhe njeriun e madh të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova!.