Në senatin amerikan filloi gjyqi për shkarkimin e mundshëm të presidentit Donald Trump

Në senatin amerikan filloi gjyqi për shkarkimin e mundshëm të presidentit Donald Trump

Është hera e tretë në historinë amerikane që një president përballet me shkarkimin e mundshëm, nën akuzat për shkelje në detyrë.

Një nga hapat e para të procesit në senatin me shumicë republikane  është votimi i programit të propozuar nga udhëheqësi Mitch McConnell për  gjyqin.

Rezoluta e senatorit McConnell do t’u jepte ligjvënësve demokratë që  do të jenë në rolin e prokurorëve si edhe ekipit ligjor të Presidentit  Trump nga 24 orë gjatë dy ditëve të ardhshme për të paraqitur argumentet  e tyre.

Në projekt-rezolutë nuk thuhet nëse do të thirren dëshmitarë dhe nëse do të lejohet paraqitja e provave të reja.

Zoti McConnell dhe republikanët e kanë bërë të qartë se duan që gjyqi  të mbarojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të përfundojë me shpalljen  të pafajshëm të zotit Trump.

Udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer ka thënë se një gjyq pa  paraqitje provash, dëshmitarësh ose dokumentesh “nuk është aspak gjyq”.

“Kur lexon rezolutën e hartuar nga McConnell, është e qartë se ai  është I vendosur që ta bëjë sa më të vështirë thirrjen e dëshmitarëve  dhe paraqitjen e dokumentave dhe se synimi i tij është që gjyqi të bëhet  me nxitim. Duke pasur parasysh se sa i rëndësishëm dhe serioz është një  proces shkarkimi, rezoluta e Senatorit McConnell është një turp  kombëtar”, tha senatori Schumer.

Avokatët e presidentit Trump po sulmojnë argumentet e procesit të  shkarkimit ndaj tij duke i quajtur ato një “perversion të rrezikshëm të  Kushtetutës”. Ata thanë se ai nuk bëri “absolutisht asgjë të keqe” kur i  kërkoi Ukrainës të ndërmerrte hetime ndaj rivalit të tij, gjë që, sipas  demokratëve, synonte ta ndihmonte presidentin për të përfituar  politikisht.

Avokatët thanë se ligjvënësit demokratë që kërkojnë me ngulm  shkarkimin e Presidentit, nuk synojnë të gjejnë të vërtetën rreth  veprimeve të Presidentit Trump në Ukrainë, por e bëjnë këtë në një farë  mënyre për të skualifikuar zgjedhjen e zotit Trump në vitin 2016 dhe për  të ndërhyrë në fushatën e tij për t’u rizgjedhur në garën e këtij viti.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi dy akuza ndaj zotit Trump. Sipas njërës  prej tyre, ai abuzoi me postin e presidentit duke i bërë presion  presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy që të hetonte një nga rivalët  kryesorë të Presidentit Trump për zgjedhjet e vitit 2020,  ish-nënpresidentin, Joe Biden. Akuza e dytë është se ai pengoi hetimin e  Kongresit.

Ligjvënësit demokratë kanë thënë se “dëshmitë provojnë në mënyrë të  pakundërshtueshme” se zoti Trump është fajtor për të dyja akuzat e  ngritura në procesin kundër tij.

Avokatët e zotit Trump, në dosjen e tyre prej 110 faqesh, pohojnë se  Presidenti Trump po zhvillonte normalisht politikë të jashtme në bisedat  me presidentin Zelenskiy.

Ata thonë se ai nuk ka kryer asnjë krim, edhe pse shpallja fajtor dhe  shkarkimi i një presidenti të SHBA nuk varet nga një shkelje specifike e  një ligji penal. Përkundrazi, gjithçka varet nga ajo se si të 100  anëtarët e Senatit, duke luajtor rolin e jurisë, interpretojnë  standardin e shpalljen fajtor siç përcaktohet në Kushtetutë, nëse një  president ka kryer “krime të larta dhe shkelje”.

Pavarësisht nga argumentet ligjore pro dhe kundër zotit Trump, ai me  siguri do të shpallet i pafajshëm nga Senati me shumicë republikane, ku  për shkarkimin e tij do të duhet të votonin dy të tretat e senatorëve.

Në një rast të tillë, të paktën 20 nga të 53 republikanët e Senatit  do të duhet t’u bashkoheshin të 47 demokratëve për ta shpallur fajtor  Presidentin Trump. Deri tani, asnjë republikan nuk ka kërkuar shkarkimin  e tij.

Shtëpia e Bardhë parashikon se Presidenti do të shpallet i pafajshëm  brenda dy javësh, por gjyqi mund të zgjasë shumë më shumë se kaq, nëse  demokratët arrijnë të bindin katër republikanë të bashkohen me ta në  kërkesën për të ftuar në gjyq si dëshmitarë disa nga ish-ndihmësit  kryesorë të presidentit Trump.

Demokratët duan të dëgjojnë dëshmi nga ish-këshilltari i Sigurisë  Kombëtare, John Bolton, shefi në detyrë i personelit së Shtëpisë së  Bardhë, Mick Mulvaney dhe të tjerë lidhur me kërkesën e zotit Trump për  të hetuar zotin Biden, punën e të birit të tij Hunter për një kompani  ukrainase gazi dhe një teori konspiracioni që është rrëzuar, sipas së  cilës Ukraina kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016, në favor të  demokratëve.

Veprimet e zotit Trump lidhur me Ukrainën përkuan me bllokimin e  përkohshëm nga ana e tij të një ndihme ushtarake prej 391 milionë  dollarësh që i duhej atij vendi për të luftuar separatistët pro-rusë në  Ukrainën lindore.