Deklaratën e Isa Mustafës, deputetja Nagavci e sheh si gatishmëri për marrëveshje: Uroj të mos jetë kushtëzim

Deklaratën e Isa Mustafës, deputetja Nagavci e sheh si gatishmëri për marrëveshje: Uroj të mos jetë kushtëzim

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se  pajtohet me deklaratën e liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa  Mustafa, i cili tha se janë të përkushtuar të punojnë për një  marrëveshje të balancuar me LVV-në.

Nagavci përmes një shkrimi në Facebook, u shpreh se e vlerëson  takimin e Kryesisë së LDK-së dhe këtë e sheh si hap përpara në arritjen e  marrëveshjes.

Ajo, ndër të tjera shprehet se i vjen mirë që LDK-ja është e  gatshme të përfundoj marrëveshjen në fund të javës, gjë të cilën, tha se  e sheh si vullnet e gatishmëri, por që uron të mos jetë ksuhtëzim.

“Shumë mirë që kjo marrëveshje të arrihet deri në fund të  javës. Unë po e shof si vullnet e gatishmëri, uroj të mos jetë  kushtëzim. Dhe kur ky vullnet ekziston s’ka asnjë kusht parimor që mund  të pengojë”, shkruan Nagavci.

Deputetja e LVV-së, thotë se në të njëjtën linjë është edhe  partia e saj, veçse ajo përmend propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje, që i  cilëson si më shumë se balancim i qeverisjes, duke qenë se u kanë  ofruar udhëheqjen e 6 ministrive.

“Pajtohem plotësisht me deklaratën e zt. Mustafa “Të  përkushtuar që të punojmë për një punojmë për një marrëveshje e cila  respekton vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e tetorit të vitit të  kaluar. Marrëveshja duhet të vë në pah një qeveri të balancuar dhe me  përgjegjësi të balancuara mes dy palëve në harmoni me atë që qytetarët  na kanë dhënë besimin e tyre…” Në linjë të njejtë është edhe LV! andaj  dhe në propozimet tona kemi ofruar që të ndajmë në mënyrë të barabartë  marrjen e përgjegjësive në qeverisje, ose madje më shumë se balancim të  qeverisjes duke i besuar LDK-së udhëheqjen e 6 ministrive përderisa ne  do të qeverisim me 5 ministri”, shprehet Nagavci.

Ajo thotë se sa i përket ndarjes së pushtetit, është Kushtetua  ajo që vendos, dhe tshmë Kryetari i Kuvendit është i zgjedhur me 75 vota  për.

“Sa i përket ndarjes së pushteteve, këtë e përcakton Kushtetuta  në nenin 4 dhe LV! është e prirur dhe zotohet për respektimin e saj të  plotë. Sipas Kushtetutës, tashmë kemi pushtetin legjislativ të dalur nga  votimi i drejtpërdrejtë dhe Kryetarin e Kuvendit që është votuar nga 75  deputet. Duhet të punojmë që brenda afatit kushtetues të votojmë  Qeverinë dhe të ndajmë përgjegjësitë ekzekutive”, thotë Nagavci.

Nagavci thotë se zgjedhja e Presidentit duhet të bëhet konform Kushtetutës, dhe për këtë  duhet të zotohen të dyja partitë.

“Duhet të zotohemi për angazhimin e përbashkët në zgjedhjen e  Presidentit Konform Kushtetutës. Duhet të mobilizohemi për  profesionalizëm të plotë e krijim të kushteve për çkapjen e pushtetit  gjyqësor dhe të institucioneve që mbrojnë rendin kushtetues,  integritetit territorial, rendit dhe qetësisë publike. Besoj se një  marrëveshje e tillë plotëson pritshmëritë dhe respekton vullnetin e  qytetarëve në zgjedhjet e fundit parlamentare. Pasi kemi një shprehje  deklarative të vullnetit të përfaqësuesve të LDK-së , pres që kjo të  realizohet edhe praktikisht. Shumë mirë që kjo marrëveshje të arrihet  deri në fund të javës. Unë po e shof si vullnet e gatishmëri, uroj të  mos jetë kushtëzim. Dhe kur ky vullnet ekziston s’ka asnjë kusht parimor  që mund të pengojë”, përfundon Nagavci.