Grenell për linjën ajrore Prishtinë-Beograd: Vetëm fillimi i planeve amerikane për Kosovën dhe Serbinë

Grenell për linjën ajrore Prishtinë-Beograd: Vetëm fillimi i planeve amerikane për Kosovën dhe Serbinë

Emisari special i SHBA’ve për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar për fluturimet direkte Prishtinë-Beograd, është vetëm fillimi i planeve amerikane për Kosovën dhe Serbinë.

Përfaqësuesi special i Presidentit Donald Trump, ka thënë se kjo lëvizje është rezultat i punës së tij pas emërimit të tij si emisar i veçantë për bisedimet Prishtinë-Beograd, që do të ndihmojë zhvillimin ekonomik dhe zgjerimin e rrjetit të tregut.

“Kur presidenti Trump më kërkoi të bëhesha përfaqësues special për diskutimet për paqen midis Kosovës dhe Serbisë, ai e bëri të qartë që zhvillimi ekonomik është çelësi për të filluar procesin. Zhvillimi ekonomik është dhe do të jetë gjithmonë krijuesi më i madh i pasurisë për njerëzit e këtij rajoni dhe të botës”, ka thënë Grenell për gazetën serbe “Blic”

Ai tutje ka shtuar se presidenti Trump dhe ekipi i tij kanë punuar shumë në arritjen e kësaj marrëveshje, e cila do të jetë vetëm fillimi i një të ardhme që SHBA’të parashikojnë për Kosovën dhe Serbinë.

“Presidenti Trump dhe ekipi e tij kanë punuar shumë për të arritur një marrëveshje të tillë, që është vetëm fillimi i një të ardhme të ndritur që ne parashikojmë për miqtë tanë në Serbi dhe Kosovë”, ka përfunduar Grenell.