Haradinaj pret zv.ndihmës sekretarin e SHBA-së: Kemi bërë progres në sektorin e sigurisë

Haradinaj pret zv.ndihmës sekretarin e SHBA-së: Kemi bërë progres në sektorin e sigurisë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush  Haradinaj, priti në takim, zëvendësndihmës sekretarin e Shtetit nga  Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të ligjit,  Jorgan Andrews.

Në këtë takim, kryeministri në detyrë Haradinaj, e ka njoftuar  Andrews për zhvillimet politike në vend, për sukseset e Qeverisë në  zhvillimin ekonomik, prioritetet në forcimin e sundimit të rendit dhe  ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në fuqizimin e  sektorit të sigurisë, veçmas duke forcuar Policinë, Prokurorinë dhe  Gjykatat dhe është partner i denjë edhe për operimet globale në këtë  fushë”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shprehur  mirënjohjen e posaçme për rolin jetik që Shtetet e Bashkuara të Amerikës  kanë pasur për Kosovën, si aleat i fuqishëm, në forcimin e  institucioneve të vendit, kërkoi që ky partneritet të vazhdojë edhe në  të ardhmen, duke shprehur gatishmërinë e institucioneve tona, karshi  përgjegjësive të përbashkëta.

“Kosova do të jetë përjetë mirënjohëse Shteteve të Bashkuara të  Amerikës për mbështetjen e pakursyer dhënë Kosovës në të gjitha  periudhat e shtetndërtimit”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke  shtuar se roli i SHBA-ve për anëtarësimin në BE dhe në NATO, është i  pazëvendësueshëm. 

Kryeministri në detyrë Haradinaj, theksoi se Kosova ka arritur  të ndërtojë institucione kredibile dhe të avancojë në profilizimin e  tyre, falë edhe partneritetit me ShBA-të dhe sot është e gatshme të  qëndrojë në krah me vendet aleate, në sigurimin e paqes dhe  stabilitetit, jo vetëm për qytetarët tanë.