A po përgatitet VV për zgjedhje? Kurti e Konjufca në Pejë, takime me aktivistë

A po përgatitet VV për zgjedhje? Kurti e Konjufca në Pejë, takime me aktivistë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i shoqëruar me kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, gjatë ditës së sotme po qëndrojnë në Pejë. Ata janë parë me aktivistë të Vetëvendosjes. Duket se ai po e mban të ndezur bazën e tij, që në rast të zgjedhjeve si zgjidhja më e mirë nga ‘bllokada’ të ketë mobilizim të madh.

Aktivistë të kësaj partie kanë postuar fotografi nga takimet në kafe të qytetit.

Ky takim vjen vetëm dy ditë pasi Vetëvendosje dhe LDK-ja u përpoqen në një takim të fshehtë të arrijnë marrëveshje, por pa sukses.

Nga burime brenda dy subjekteve bëhet me dije se sot nuk pritet takim. Sot përfundon ‘ultimatumi’ që Isa Mustafa dha para disa ditëve. Ai tha se në fund të javës ose duhet të ketë marrëveshje ose duhet të shpallet dështimi.

Nëse kanë vendosur ta mbajnë fjalën, atëherë e nesermja mund të jetë dita vendimtare. Ose do të vendosin ta shkelin afatin dhe të vazhdojnë bisedat. Kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë që Kurti të provojë të bëjë Qeverinë.

Një takim mes tyre ka ndodhur të premtën në mbrëmje. Mediat e ndryshme raportuan se ai u zhvillua në shtëpinë e Isa Mustafës në Prapashticë. Por, tek sot e mohuan nga LDK-ja, duke thënë se ka ndodhur diku tjetër në periferi të Prishtinës.

Gjithsesi, le të kujtojmë se cilat ishin ofertat e fundit të tyre, që kanë mbetur pezull?

Oferta e VV-së, 14 Janar:

Propozimi i drejtuar kryetarit Mustafa
I nderuari Kryetar i LDK-së, z. Isa Mustafa,
Në kuadër të bisedimeve tona për formimin e koalicionit qeverisës, në takimin tonë të fundit të mbajtur të enjten, më 9 janar 2020, kam bërë propozimin përfundimtar për marrëveshje ndërmjet dy subjekteve tona. Sipas kërkesës suaj në komunikimin tonë të fundit, po ua dërgoj atë edhe me shkrim:

1. E shtojmë numrin e ministrive në qeveri, nga 12 në 14 sosh, me ç’rast Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka 5 ministri kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 6 ministri. Ministria shtesë për LDK vjen si pjesë e njërës prej ministrive më të mëdha që ka LVV. 3 ministri i kanë pakicat, siç edhe parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vlen dakordimi i mëhershëm që zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, ndërkaq zëvendëskryeministri i dytë LVV-së.

2. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet, ashtu që Kultura dhe Rinia i bashkangjiten Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa Sporti i bashkangjitet Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal janë dy nga tri ministritë që u jipen pakicave. Ministria e tretë është ajo për Komunitete.

3. Bëhet një formulim i përbashkët për çështjen e Presidentit të Republikës së Kosovës bazuar në draftin fillestar nga LDK që përfshin qëndrimin karshi presidentit aktual, përpjekjen për koncensus dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ish PAN-in.
Shpresoj ta pranoni propozimin tonë dhe pa humbur kohë ta formojmë qeverinë e ta zbatojmë programin e harmonizuar qeverisës.
Me respekt,
Albin Kurti, Kryetar i LVV

Propozimi i LDK-së më 15 Janar:
1. LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës).

2. Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët, me këto përjashtime:
a) Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
b) Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komuniteteve jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

3. Partnerët e koalicionit, në përputhje me dispozitat kushtetuese, për Presidentit të vendit do të përkrahin kandidatin e propozuar nga LDK-ja.

4. Si rezultat i kësaj marrëveshje:
a. Deri në zgjedhjen e Presidentit:
• VV do të ketë Kryeministrin, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri, ndërkaq
• LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri.
b. Pas zgjedhjes së Presidentit, të propozuar nga LDK-ja:
• VV do të ketë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe 5 ministri, ndërkaq
• LDK do të ketë Presidentin si kandidat të saj të propozuar (por që si President vepron si faktor unifikues sipas Kushtetutës), si dhe Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe 5 ministri.

5. Të gjitha çështjet e tjera mbesin ashtu siç janë dakorduar në takimet e mëparshme.