Egoja e VV-së dhe LDK-së, bën që “topin” t’ua gjuajnë ndërkombëtarëve

Egoja e VV-së dhe LDK-së, bën që “topin” t’ua gjuajnë ndërkombëtarëve

Gjatë ditës së sotme do të zhvillohet një takim në mes të përfaqësuesve të QUNT-it dhe LVV-së e LDK-së.

Përfaqësuesit e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, që njihet ndryshe edhe si shtetet e QUNT-it, sot do të zhvillojnë një takim me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kanë qenë vetë shtetet e QUNT-it, të cilat kanë sqaruar se nuk do ta kenë rolin e ndërmjetësuesit për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje ndërmjet LVV-së dhe LDK-së.

“Siç është cekur në deklaratën tonë të 30 gushtit 2019, ku thuhet se ‘Ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sugjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë… përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës”. Ne nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të përqendrohen në aspiratat e popullit të Kosovës”, thuhej në deklaratë të shteteve të QUINT-it.

Mirëpo, njohësit e çështjeve politike në vend, thonë se pavarësisht se nuk dihet nëse ky takim do të bëhet me kërkesë të partive politike apo shteteve të QUNT-it, përfshirja e ndërkombëtarëve në çështje të brendshme politike nuk është aspak e mirëpritur.

Sipas tyre, për shkak të egos dhe inatit që kanë LVV-ja dhe LDK-ja, që të mos dalin hapur dhe të thonë se cila palë lëshoi pe, e kanë parë më të udhës që “topin”, t’ua hedhin ndërkombëtarëve dhe të thonë që marrëveshja është arritur për shkak të ndërhyrjes së ndërkombëtarëve.

Rrahman Paçarizi, profesor universitar dhe njohës i çështjeve politike në vend, ka thënë për lajmi.net, se ka qenë Kurti ai i cili çdo herë i ka kritikuar liderët e tjerë për përfshirjen e ndërkombëtarëve në situata të tilla, ndërkaq sot, do të zhvillohet takim me përfaqësuesit e shteteve të QUNT-it.

Sipas Paçarizit, shumëçka varet nga formati i takimit pasi që ende nuk dihet se a do të jenë prezent vet amabsadorët e QUNT-it apo përfaqësues të tjerë të nivelit më të ulët, por siç u shpreh, nëse kërkesa për takim është bërë me kërkesë të QUNT-it atëherë kjo është një ndërhyrje shumë e vrazdhë.

“Në këtë rast më së paku është pritur që do të ketë nevojë për ndërhyrje nga jashtë, aspak për ndërhyrje publike kaq transparente nga faktori ndërkombëtar qoftë për shkakun se këto dy parti politike që më parë ishin zotuar më parë se janë për koalicion me njëra-tjetrën jo me parti të tjera, qoftë për faktin që zotëri Kurti gjithmonë i ka kritikuar partitë e tjera politike në raste të këtilla kur kanë pritur një involvim të faktorit ndërkombëtar për të gjetur zgjidhje të cilat u takojnë vetë krerëve politik apo institucioneve të Kosovës. Tash situata nuk është krejt e qartë nuk dihet saktësisht nëse ndërhyrjen e kanë kërkuar përfaqësuesit e QUNT-it apo e kanë kërkuar LDK-ja, përkatësisht Vetëvendosje dhe as nuk dihet se cila prej tyre ka qenë më e interesuar për këtë ndërhyrje. Gjithashtu nuk dihet as formati i takimit e as i përfshirjes së QUINT-it në një marrëveshje eventuale apo në një përpjekje për përafrimin e të dyja palëve. Në një situatë të tillë është shumë e vështirë të thuhet diçka më shumë për këtë çështje, por nëse është e vërtet se QUNT-i do të jetë vetëm pjesëmarrës për të dëgjuar rrjedhën e takimit siç është thënë nga përfaqësuesit e LDK-së, atëherë unë këtë e shoh si një përfshirje të kotë, të pashpresë nëse ata nuk do të ndërhyn. E nëse është bërë me kërkesën e QUNT-it, atëherë kjo është një ndërhyrje paksa e vrazhdë në përpjekjet e dy partive politike për ta bërë qeverinë. Po them shumë çka varet nga formati i takimit, nga shkalla e përfaqësimit të shteteve të QUNT-it në këtë takim. Do me thënë ndryshe do të jetë nëse do të jenë pjesëmarrës ambasadorët e vendeve të QUNT-it e ndryshe do të jetë nëse aty do të marrin pjesë sekretar ambasadash apo nivele më të ulëta”, theksoi Paçarizi për lajmi.net.

Edhe Imer Mushkalaj, njohës i çështjeve politike, thotë se për shkak të egos të të dyja partive si LVV-së ashtu edhe LDK-së, që të dalin dhe të thonë hapur se cila ka lëshuar pe, ka bërë që të kërkohet përfshirja e shteteve të QUNT-it.

“Jemi në situatën kur qëndrimet janë të ngurta edhe po duket se asnjëra palë nuk po do që të lëshoj pe vet për shkak se po e konsideron këtë si njëfarë humbje edhe të partisë edhe humbje personale edhe për këtë arsye po përpiqen që me e gjuajt të them ashtu fajin për lëshim pe te ndërkombëtarët në mënyrë që nëse janë marrë vesh që megjithatë të lëvizin prej pozicioneve të lëshojnë pe në njëfarë forme kjo t’u mbetet ndërkombëtarëve për shkak se, sidomos Vetëvendosja, njerëzit në Vetëvendosje e kanë egon shumë të fortë edhe nuk duan që ata të dalin humbës të them ashtu në këtë betejën se kush po fiton e kush po humb. Ndërkohë që edhe Isa Mustafa absolutisht nuk është ai që do të dal i pari edhe të thotë se koalicioni po dështon. Pra dy partitë po e presin njëra-tjetrën që të dalë edhe të thotë se po dështon, respektivisht po lëshon njëra palë pe dhe për këtë arsye i kanë ftuar të them ashtu ndërkombëtarët në mënyrë që të kenë alibi se këta nuk deshën me vullnet që të lëshojnë pe, nëse përnjëmend po dëshirojnë të lëshojnë pe, por thjeshtë ndërhynë ndërkombëtarët dhe e bëmë një gjë të tillë”, u shpreh Mushkolaj për lajmi.net.

Ndërkaq Blerim Burjani, thotë se është në duart e Lëvizjes Vetëvendosje, si parti fituese që të themelojë institucionet e reja, në këtë rast qeverinë.

Sipas tij, ka kaluar koha e UNMIK-ut dhe Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe nuk duhet ndërhyrja e ndërkombëtarëve.

“Kjo është interesante që deri më tash nuk ka pas kërkesa që askush të ndërhyjë në themelimin e institucioneve. Kosova është shtet i pavarur dhe se shtetet tjera tashmë e respektojnë vullnetin e popullit dhe partive që i kanë votuar. Është në duart e partisë aktuale fituese të tregojë fleksibilitet për të themeluar qeveri. Në kohën e UNMIK-ut ka pas përkrahje për të dal nga kriza sepse ishte tjetër kohë. Kosova është e pavarur dhe askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk do të ndërhyjë direkt për të ndihmuar, por në mënyrë indirekte po. Edhe Grenell iu tha se nuk ndërhyn në politikë të brendshme”, theksoi Burjani për lajmi.net, i cili shtoi se, në rast se Vetëvendosje dëshiron që të themelojë qeverinë, atëherë siç u shpreh ai, lë të bëjë zgjidhje të tjera dhe në rast se nuk ndodhë kjo, është Vetëvendosje ajo e cila mund ta çoj përsëri shtetin në zgjedhje.

Të pyetur nëse takimi me përfaqësuesit e shteteve të QUNT-it mund të sjell përmbylljen e marrëveshjes për bashkëqeverisje në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së, analistët thonë se kjo do të ishte një ndërhyrje shumë e vrazhdë dhe direkte mirëpo, ata shprehen skeptikë që sot të arrihet ndonjë marrëveshje.

Rrahman Paçarizi, ka thënë për lajmi.net, se mosbesimi që kanë LVV dhe LDK për njëra tjetrën arritjen e marrëveshjes me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve do ta bënte edhe më pak të besueshme.

“Unë nuk pres që sot të finalizohet marrëveshja, në fakt nuk do të kisha dashur që sot të ishte finalizuar marrëveshja sepse, ndërhyrja do të ishte tepër e vrazhdë dhe edhe ashtu besimi ndërmjet partnerëve të koalicionit është humbur aq shumë sa që edhe një koalicion i papërfshirë i bashkësisë ndërkombëtare vështirë se do ta bënte efikas një qeverisje të tillë e aq më pak nëse marrëveshja bëhet me përfshirjen e bashkësisë ndërkombëtare sepse aty pastaj imponim. Unë e kuptoj nevojën e LDK-së dhe Vetëvendosjes që tërheqjen e tyre, lëshimin pe ta bëjnë gjoja në një presion ndërkombëtar, mirëpo kjo është krejt e pandershme sepse partitë politike të Kosovës po vazhdojnë në mënyrë ciklike pas secilave zgjedhje që mbahen në Kosovë t’i projektojnë ëndrrat e tyre për zgjedhjet e tjera në vend që të mendojnë për qeverisje cilësore”, theksoi Paçarizi.

Analisti Imer Mushkolaj, thotë se, nëse do të arrihej marrëveshja me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve kjo do të tregonte papjekurinë e LVV-së dhe LDK-së, por që ai nuk beson se do të arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje.

“Nuk jam i sigurt nëse me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve do të përfundojë çdo gjë, për shkak se unë e konsideroj totalisht të panevojshme ndërhyrjen e ndërkombëtarëve duke pas parasysh se dy partitë janë të pjekura politikisht dhe të përgjegjshme, të paktën kështu na kanë thënë dhe kanë mundur të mbërrijnë koalicionin vet dhe nëse vjen puna deri te ndërhyrja e ndërkombëtarëve që po duket se veç ka ardhur për shkak se sot veç edhe do të ketë takim, atëherë na tregon se këto parti thjeshtë nuk janë të pjekura politikisht edhe kanë humbur kohë kaq shumë për një çështje që do të mund ta kishin zgjidhur edhe shumë më herët”, u shpreh Mushkolaj për lajmi.net.

Theksojmë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë filluar bisedimet e tyre për marrëveshjen për bashkëqeverisje qysh në muajin tetor të vitit të kaluar mirëpo, që akoma nuk kanë gjetur një pajtueshmëri për shkak të apetiteve të tyre politike për poste të caktuara. Është LDK-ja ajo që po insiston në postin e presidentit dhe si garancë të tij po e kërkon postin e kryeparlamentarit deri në kohën kur do të votohet presidenti.