Lëvizja FOL përmes një konference për media ka bërë të ditur se ka monitoruar procesin e ndërtimit të autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, për të cilin ka deklaruar se që nga fillimi është përcjellë me shumë parregullsi.
“Nga monitorimi që FOL ka bërë, së fundmi kemi hasur në katër aneks kontrata që Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar me 4 operator ekonomikë që ishin fitues në tenderin për ndërtimin e mbi 22 kilometrave të kësaj autoudhe. Gjatë vitit 2019, e deri më tani kjo autoudhë e paplanifikuar financiarisht po i kushton buxhetit të shtetit mbi 93 milion euro, pa shtuar këtu edhe miliona të tjerë që kanë shkuar për shpronësime. Nga kontratat përmes procedurës me negocim pa publikimin e njoftimit për kontratë, kanë nënshkruar aneks kontrata këta operator: “GRANIT sh.p.k me 1, 843, 392.24 Euro, Companya Eskavatori Sh.p.k me 1,743, 107.70 euro, Gjoka Konstruksion me 438,190.20 euro, AL TRADE HOLDING L.L.C. me 372,660.42 euro”, u tha në konferencë.
Nga Lëvizja FOL tutje theksojnë se është shqetësuese që këto tri aneks-kontrata janë nënshkruar pas dorëheqjes së qeverisë Haradinaj.
“Është me rëndësi të ceket fakti që Ministria e Infrastrukturës nuk ka pasur Plan të Menaxhimit të Kontratës, e i cili parashihet të jetë dokument në procesin e prokurimit, që përfshin në vete aspektet organizative, ekonomike, teknike dhe ligjore të menaxhimit dhe përmes së cilit plan bëhet monitorimi i punimeve në terren. Andaj, në si Lëvizje FOL, kërkojmë nga Ministria e Infrastrukturës, si autoritet kontraktues, të sqarojë se mbi çfarë baze të vlerësimit ka nënshkruar këto aneks kontrata me operatorët ekonomikë të lartpërmendur kur mungon ky plani i menaxhimit. Punët dhe shërbimet shtesë, përmes këtyre aneks kontratave, i kanë kushtuar buxheti i shtetit plus 4, 397, 065.32 euro”, u bë e ditur.
Ata kanë kërkuar nga Prokuroria Speciale që t’u tregojnë se në çfarë pike kanë arritur hetimet në ndërtimin e kësaj autostrade.
“Gjithashtu, FOL mirëpret pezullimin e tenderit 110 milionësh për vazhdimin e ndërtimit të kësaj autoudhe në një kohë kur vendi ende nuk ka buxhet të miratuar për këtë vit dhe nuk kemi zotim të mjeteve për vazhdimin e ndërtimit të kësaj autoudhe”, u tha në konferencë.