Kastrati akuzon partitë politike për nxitje të protestave

Kastrati akuzon partitë politike për nxitje të protestave

Kryetari i komunës së Kamenicës përmes një reagimi, ka akuzuar partitë politike për nxitje të protestave duke i akuzuar edhe për përhapje të propagandave e frikës në masë duke i ftuar partitë që në vend që të pengojnë procesin mësimor të bashkohen në përpjekjet për arsim më të mirë.

Ai gjithashtu përmendi se si kryetar komune, detyrat e tij të ishin që të kryej përgjegjësitë që ka, dhe se nuk bën asgjë për benefite personale.

”Unë jam kryetar komune, dhe me këtë rol vijnë edhe përgjegjësitë. Karrierën time dua ta ndërtoj mbi angazhimin për të mirën e vendit. Nuk synoj jetë luksoze e benefite personale. Këtë e dijnë të gjithë. Dhe kjo po i pengon disave të cilët më me dëshirë do t’më shihnin tek harxhoj kot e s’lëviz gurë.”

Ndërsa ky është reagimi i plotë i Qëndron Kastratit:

Ndryshimet janë pjesë integrale e jetës. Paralelisht, frika e rrjedhimisht rezistenca ndaj ndryshimit është njëashtu e pranishme tek çdo individ e shoqëri. Protesta është formë demokratike e shprehjes së qëndrimit dhe unë e respektoj dhe çmoj. Mirëpo, çdo ndryshim e ka arsyen e vet. Dhe në rastin tonë është arsimimi më i mirë i fëmijëve tanë. Çdo frikë e ka burimin e vet, si në rastin e Kamenicës ku partitë politike përhapin propagandë e frikë në masa, duke mos i lënë prindërit të vendosin për fatin e fëmijëve të tyre, nga frika se do të përjashtohen nga komuniteti e do t’u drejtohet gishti nga ta. Unë jam kryetar komune, dhe me këtë rol vijnë edhe përgjegjësitë. Karrierën time dua ta ndërtoj mbi angazhimin për të mirën e vendit. Nuk synoj jetë luksoze e benefite personale. Këtë e dijnë të gjithë. Dhe kjo po i pengon disave të cilët më me dëshirë do t’më shihnin tek harxhoj kot e s’lëviz gurë. Për ta bërë më interesante ofertën e tyre politike. Është obligim i institucionit, që duke parë ndërthurjen e problemeve dhe mangësive, krijon strategji dhe vepron në përputhje me të. Këtë raport ne e kemi publikuar dhe kemi prezantuar në disa raste, gjithëherë duke u penguar nga interesat politike. Ftoj partitë politike të mos bëjnë fushatë për interesa politike. Nuk është aspak e ndershme e as e drejtë ta përkrahni reformën privatisht e publikisht të nxisni rezistencë. Nuk është aspak e ndershme që nga Zyret e Partisë të angazhohesh në protestë civile si organizator kryesor. Shkarkimi i Kryetares së Këshillit të Prindërve në Topanicë dhe zgjedhja e anëtarit të kryesisë së Partisë Lëvizja VETËVENDOSJE! kryetar i këshillit të prindërve vetëm që të angazhohet për organizimin e kundërshtimit duke manipuluar me ndjenjat dhe frikën e prindërve është e papranueshme. Për Çdo propozim që ka në fokus arsimim më të mirë, jemi të hapur të dëgjojmë dhe veprojmë. Mirëpo, me poezi lirike nuk mund të kundërshtohet një vendim i drejtë. E përsëris, asnjë mësimdhënës nuk do të mbetet jashtë sistemit. Transporti është organizuar me rregull. Ne nuk do të ndalim angazhimin tonë për përmirësimin e kushteve e avansimin e mësimdhënies. Për këtë, ftoj të gjithë organizatorët që në vend që të pengojnë procesin mësimor, të bashkohen në përpjekjet tona për arsimim më të mirë. Qëndron Kastrati nuk është i përhershëm, por efektet e riorganizimit do të jenë.