Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka shkelur ligjin kur i ka vazhduar mandatin drejtorit të përgjithshëm të Doganava të Kosovës.
Bajqinovci ka shkruar në Facebook se sipas Kodit Doganor duhet të krijohet komision dhe të shpallet konkursi për zgjedhjen e tij e pas kësaj propozimi i komisionit shkon tek Ministri i Financave.
“Kodi Doganor Nr. 03/L – 109, në nenin 5 (paragrafi 1) kërkon domosdoshmërisht krijimin e një komisioni dhe shpalljen e konkursit për zgjedhjen e tij. Pas kësaj, propozimi i komisionit shkon tek ministri i financave, i cili, tek atëherë e dergon rekomandimin tek kryeministri. Vendimi i kundërligjshëm i kryeministrit, thirret pikërisht në dispozitën ligjore të neni 5 pika 1, të Kodit Doganor, të cilin Vendimi i kryeministrit e shkelë vrazhdë në kuptimin material (në përmbajtjen e tij), ngase aty qartë është e rregulluar se duhet të shpallet konkurs dhe duhet vendim për përzgjedhje nga komisioni fillimisht”, ka shkruar ai.
Deputeti i VV-së ka thënë se veprimi i Haradinajt është shkelje e rëndë ligjore dhe abuzim i detyrës.
“Kjo është shkelje e rëndë ligjore e radhes dhe veprim arbitrar, abuzim me detyrën, shpërdorim i funksioneve e të mirave publike etj. Pastaj ne quditemi se përse nuk kemi liberalizim të vizave. Qeveria në ardhje do të ndalojë këto abuzime me pasurinë e të mirat e përbashkëta”, është shprehur Bajqinovci.