Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri ka thënë se koalicioni me Vetëvendosjen do të funksionojë vetëm nëse partia e tij udhëheqë Kuvendin ndërsa VV’ja qeverinë.
Haziri konfirmoi se marrëveshja e tyre me Albin Kurti, do të ndodhë vetëm partia e Isa Mustafës merr kryesinë e Kuvendit.
“Parimi është kështu, që Vetëvendosja ta udhëheq Qeverinë, ndërsa LDK’ja Kuvendin”, tha Haziri, sot pas takimit me nënkryetarët e partisë së tij.
Lutfi Haziri ka thënë se s’ka marrëveshje me Vetëvendosjen pa u balancuar pushteti në Parlament. Tek kur të arrihet marrëveshja për të liruar pozitën e Kryetarit të Kuvendit, Haziri ka paralajmëruar mundësinë e votimit të Qeverisë Kurti.
“Edhe më tutje kemi nevojë me diskutu. Nuk është përballu ende ky dallim. Angazhimi dhe përballimi dhe tejkalimi i kërkesave partiake janë të domosdoshme për koalicione politike”, ka thënë ai.
Tutje, Haziri tha se akoma nuk kanë vendosur për një takim me Vetëvendosjen, mirëpo nuk do të ndalet përpjekja deri sa të arrihet.
“Ky angazhim është në funksion të arritjes së marrëveshjes. Përpjekja nuk do të ndalet deri me 3 shkurt. Ne nuk i kemi ndërprerë takimet asnjëherë, dhe do të provojmë derisa të arrijmë marrëveshje”, shtoi Haziri.
Gazeta Metro ka mësuar se oferta e Lidhjes Demokratike të Kosovës është pranuar nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Kurti ka pranuar që LDK’së t’i takon pozita e Kryetarit të Kuvendit, pozita e Presidentit dhe 5 ministri, kështu duke ofruar dorëheqjen e Glauk Konjufcës nga pozita e Kryeparlamentarit.
Kurse, nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje ka mbetur që pozita e Kryeministrit, zëvendëskryeministrit të parë dhe 5 ministri t’i marrin ata, shkruan Gazeta Metro.
Nuk dihet akoma nëse Kurti ka bindur Listën Serbe për ta votuar qeverinë e tij, po ashtu edhe nga komunitetet tjera pakicë ka disa mospakënaqësi, ku deputetja Dude Balje ka deklaruar se nuk do ta voton qeverinë Kurti.
Ndryshe, Kurti ka lëshuar udhë dhe ka pranuar ofertën e LDK’së vetëm për të formuar qeverinë e re të Kosovës, atë që e ka obligim pasi është mandatuar nga Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, që me 3 shkurt të votohet në Kuvendin e Kosovës një qeveri e re.
Ky veprim nga Kurti për të pranuar ofertën e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe për të hequr dorë nga parime e tija të dikurshme, vjen pas kërkesave të shumta nga qytetarët për të parë atë si kryeministër të vendit, diçka që ishte kërkuar që një kohë të gjatë.