Rivaliteti politik për primatin në dialog – Kurti thotë se Qeveria do ta ketë rolin udhëheqës në këtë proces

Rivaliteti politik për primatin në dialog – Kurti thotë se Qeveria do ta ketë rolin udhëheqës në këtë proces

Në procesin e dialogut Kosovë-Serbinë, i cili synohet të rifillojë në të ardhmen me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje që do të zgjidhte kontestin mes dy vendeve, roli i përfaqësuesve të institucioneve më të larta politike të Kosovës do të diskutohet mbi bazën e një konteksti të ri politik, në të cilin aktualisht është vendi, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

Vitet e fundit, rolin udhëheqës në dialogun me Serbinë, e ka pasur presidenti i vendit, Hashim Thaçi, por, kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, tashmë ka paralajmëruar se Qeveria e Kosovës do ta ketë rolin udhëheqës në këtë proces.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se nuk beson që mund të ketë një ekip “ku është edhe kryeministri, edhe presidenti”, pasi që sipas tij, nuk është në natyrën e negociatave të bisedimeve ndërkombëtare një situatë e tillë.

Sipas njohësve të zhvillimeve politike, tashmë ekziston një vlerësim i Gjykatës Kushtetuese të vendit, i cili i definon rolet e institucioneve në procesin e dialogut me Serbinë.

Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike e Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë që Presidenca dhe Kryeministria kanë përgjegjësi institucionale që t’i bashkërendojnë qëndrimet e tyre dhe të përfaqësojnë me një zë pozicionin e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

“Ka një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, e cila ia ka konfirmuar përgjegjësinë dhe kompetencat kushtetuese Qeverisë që të udhëheqë me procesin e dialogut, duke e qartësuar se ajo e ka një rol dhe përgjegjësi të atillë dhe se ajo nuk mund t’i bartet asnjë institucioni tjetër”.

“E dyta, ky aktgjykim ka konfirmuar që presidenti i vendit ka vetëm një rol konsultativ në këtë mes. Ndonëse ia njeh rolin presidentit, konsideron që roli i tij në raport me kryeministrin mund të zhvillohet vetëm në margjinat e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve”, thekson Kryeziu.

Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë që bazuar në vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese, barra kryesore në procesin e dialogut me Serbinë do të bjerë mbi Qeverinë e Kosovës. Sipas tij, presidenti ka kompetenca kushtetuese për përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit dhe ai, në procesin e dialogut, duhet të sillet në përputhje me këto kompetenca.