Rrëfimi i nënës së divorcuar: S’mund të punoj pasi jam operuar 2 herë, nuk kam ushqim për fëmijët

Një zonjë, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur, por është quajtur “Shpresa” ka treguar problemin e saj.

Ajo ka 5 vite që është divorcuar dhe që prej 5 vitesh fëmijët e saj nuk e kanë përfituar pensionin ushqimor që është i detyrueshëm dhe i nevojshëm për rritjen e tyre.

Shpresa na tregon se nuk punon , pasi është operuar 2 herë, dhe jeton vetëm me anë të një ndihme ekonomike.

Në studio e Report Tv ishte gjithashtu e pranishme edhe Etleva Zeqiraj, përmbaruese gjyqësore në shërbimin shtetëror. Ajo u bëri thirrje të gjithë prindërve që kanë marrë nga gjykata kujdestarinë që menjëherë pas vendimit të gjykatës të drejtohen menjëherë tek zyrat përmbarimore sepse detyrimi ushqimor mund të jepet vetëm 6 muajt e fundit, nga momenti që bën kërkesën.

Përmbaruesja sqaroi se prindit i lihen vetëm 5 ditë kohë që të paguajë detyrimin në mënyrë vullnetare. Më pas kalohet në sekuestro të pasurive private, apo edhe të orendive shtëpiake të cilat mund të konsiderohen të mira luksi.

Nëse detyruesi nuk ka asnjë të ardhur të regjistruar, atëherë bëhen verifikime nëse ai merr të ardhura nga puna në të zezë, apo nga aktivitete të paregjistruara. Ligji shqiptar parashikon që në rast mospagese të detyrimi ushqimor, aplikohet masa e arrestit me burg për personin në fjalë.

Enida Bozheku, avokate, e quan këtë ligj paradoksal. Nga studio e Rreze Dielli ajo tha se problem i vërtetë është se midis ish çiftit krijohen hendeqe të mëdha të cilat bëjnë që edhe pagesat të mos kryhen, pasi ish bashkëshortët nuk duan ti japin para nënës së fëmijëve e cila do ti administrojë ato për rritjen dhe mirëqenien e tyre.

Një problem tjetër në venin tonë,- thotë avokatja, - është se ka shumë prokurorë të cilat i anashkalojnë këto dosje duke i nxjerrë të pavlera, pasi mendojnë se janë problem që duhet të zgjidhen nga vetë konfliktuesit.

"Në legjislacionin shqiptar ekziston një boshllëk i madh për rastet kur asnjë nga prindërit nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të fëmijët. E vetmja gjë që mund të bëhet është që me anë të një vendimi gjyqësor gjykata mund të aplikojë një procedurë zëvendësimi ku, pagesa për detyrimin ushqimor të bjerë mbi personat e afërm të vetë prindit, nëse ky i fundit nuk ka mundësi të paguajë", shprehet Bozheku.

Ashtu si Shpresa, janë me qindra apo mijëra ato nëna të cilat kanë të njëjtin problem e kërkojnë zgjidhje që fëmijëve të tyre të paktën të mos u mungojë ushqimi!