Deputeti Abelard Tahiri, ka thënë se kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani po sillet në mënyrë, irracionale, antiligjore dhe militanteske si dhe po e dëmton imazhin e demokracisë parlamentare dhe traditës shtet formuese.
Sipas tij, kjo sjellje e akorduar midis Osmanit dhe Kurtit është e papranueshme.
“Për shkak të sjelljes së saj antiligjore e irracionale dhe të qëllimshme e të akorduar me Albin Kurtin, opozitës po i kufizohet ushtrimi i rolit të saj. Kjo u pa sot, kur në mungesë të PDK-së, partitë në pushtet kanë përzgjedhur Komisionet Parlamentare në një format jashtëzakonisht të dëmshëm për transparencën, llogaridhënien, qeverisjen e mirë dhe zhvillimin demokratik të sferës institucionale”, tha Tahiri.
Ai ka shkruar se pushteti po tenton që të vë në kontroll agjendën për kapjen e shtetit.
“Fakti se VV-ja dhe LDK-ja që drejtojnë qeverinë, kanë marrë përsipër kryesimin e komisioneve kryesore parlamentare siç është ai për Legjislacion; Buxhet dhe Financa; Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së; Bujqësi e Zhvillim Rural, si dhe atë për Arsim, Shkencë e Teknologji, është treguesi më i qartë se pushteti aktual po provon të vejë në kontroll agjendën për kapjen e shtetit duke eliminuar kështu linjat e llogaridhënies”, ka shkruar ai.
Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të tij në Facebook.
Sjellja irracionale, antiligjore dhe militanteske e Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, po e dëmton imazhin e demokracisë tonë parlamentare dhe traditës shtet formuese që kemi ndërtuar. Kjo sjellje është e papranueshme. Ajo po e mban peng funksionimin e mirëfilltë të grupeve parlamentare dhe po e cenon qëllimshëm punën e opozitës në Kuvendin e Republikës.
Për shkak të sjelljes së saj antiligjore e irracionale dhe të qëllimshme e të akorduar me Albin Kurtin, opozitës po i kufizohet ushtrimi i rolit të saj. Kjo u pa sot, kur në mungesë të PDK-së, partitë në pushtet kanë përzgjedhur Komisionet Parlamentare në një format jashtëzakonisht të dëmshëm për transparencën, llogaridhënien, qeverisjen e mirë dhe zhvillimin demokratik të sferës institucionale.
Fakti se VV-ja dhe LDK-ja që drejtojnë qeverinë, kanë marrë përsipër kryesimin e komisioneve kryesore parlamentare siç është ai për Legjislacion; Buxhet dhe Financa; Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së; Bujqësi e Zhvillim Rural, si dhe atë për Arsim, Shkencë e Teknologji, është treguesi më i qartë se pushteti aktual po provon të vejë në kontroll agjendën për kapjen e shtetit duke eliminuar kështu linjat e llogaridhënies.
Kjo ndarje e komisioneve është goditje ndaj vlerave të një demokracie parlamentare, ku opozitës po i pamundësohet mbikëqyrja e aspekteve vitale të qeverisjes.
Megjithëse me këto veprime, tendencat për “uzurpimin” e agjendës politike dhe shmangien e llogaridhënies përballë qytetarëve janë mjaft të qarta, ne si deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës do angazhohemi me çdo kusht dhe në mënyrë të pa kompromis që ky pushtet, të mos arrijë të cenojë vlerat e demokracisë parlamentare dhe të mos arrijë t’i shmanget llogaridhënies.
Rruga e tyre për bllokimin tonë në Kuvend, është rrugë qorre dhe do t’i shpie në qorrsokak.